Egnatia ka barazuar 0-0 me Lillestrom në ndeshjen e parë të playoff-it të Europa League, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit që do të zhvillohet pas një jave në Norvegji.
Takimi në “Egnatia Arena” nisi me një moment të frikshëm për kampionët e Shqipërisë. Në minutën e 5-të, Gabrielsen dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje dënimi, por goli i norvegjezëve u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Pas një fillimi të vështirë, skuadra rrogozhinase fitoi terren dhe krijoi disa mundësi për të kaluar në avantazh. Adjesa provoi dy herë portën kundërshtare, ndërsa edhe Albanese pati rastin e tij, por pjesa e parë u mbyll pa gola.
Egnatia vazhdoi të kërkonte golin edhe pas pushimit. Albanese rrezikoi sërish, ndërsa mundësia më e mirë e vendasve erdhi nga Gruda, gjuajtja e të cilit u ndal nga shtylla.
Edhe Lillestrom pati mundësinë për të goditur. Në minutën e 73-të, Va u gjend në një pozicion të favorshëm me portën bosh, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
Rezultati 0-0 mbeti i pandryshuar deri në fund, duke bërë që kualifikimi për në fazën tjetër të Europa League të vendoset në ndeshjen e kthimit në Norvegji.


