Diplomatisches Magazin” portret sipërmarrësit shqiptar Burim Hazrolli, nga emigrant 16-vjeçar te drejtues i një grupi kompanish

08 Sep 2026 10:28
Shpërndaje:

Revista gjermane “Diplomatisches Magazin”, e botuar në Berlin dhe e orientuar prej dekadash drejt komunitetit diplomatik, politik, institucional dhe ekonomik në Gjermani, i ka kushtuar në edicionin shtator-tetor 2026 një portret të gjerë sipërmarrësit shqiptar Burim Hazrolli.

Në një shkrim prej dy faqesh, revista sjell rrugëtimin e Hazrollit, nga mbërritja i vetëm në Gjermani në moshën 16-vjeçare deri te krijimi dhe drejtimi i një grupi kompanish që sot numëron mbi 100 të punësuar dhe zhvillon aktivitet në Gjermani, Kosovë dhe tregje të tjera.

Hazrolli mbërriti në Gjermani në vitin 1998 dhe vetëm një ditë më vonë nisi të punonte në sektorin e ndërtimit në Bavari. Pa një rrjet familjar dhe pa njohuri të gjuhës gjermane, ai e ndërtoi gradualisht rrugën e tij profesionale, ndërsa në moshën 22-vjeçare themeloi kompaninë e parë.

Reklamë Ola

Biznesi, i cili fillimisht ishte përqendruar në renovime, sanime dhe punime të brendshme, me kalimin e viteve u zgjerua duke u shndërruar në Hazrolli Unternehmensgruppe, një grup kompanish që operon në disa fusha të ndërtimit, prodhimit dhe pasurive të paluajtshme.

Në portretin e saj, “Diplomatisches Magazin” ndalet jo vetëm te rritja e biznesit, por edhe te filozofia sipërmarrëse e Hazrollit, e mbështetur te puna, disiplina, cilësia, përgjegjësia dhe gjetja e zgjidhjeve përballë vështirësive.

Reklamë InterMedika

“I dua gjërat e komplikuara, pretendimi im është zgjidhja”, shprehet Hazrolli në intervistë, një parim që sipas revistës ka shoqëruar zhvillimin e aktivitetit të tij ndër vite.

Kur furnizimet apo proceset e jashtme krijonin pengesa për kompaninë, Hazrolli investonte në krijimin e kapaciteteve të veta. Në këtë kuadër, në vitin 2019 ai ngriti në Kosovë prodhimin e dritareve dhe dyerve, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë prodhuese dhe ekonomike mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Sot, Hazrolli Unternehmensgruppe bashkëpunon me klientë privatë, komuna dhe institucione publike, ndërsa vijon zgjerimin e aktivitetit dhe kapaciteteve prodhuese. Pavarësisht rritjes së kompanive, Hazrolli vazhdon të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në projektet, marrëdhëniet me punonjësit dhe aktivitetin e përditshëm të biznesit.

Një pjesë e veçantë e shkrimit i kushtohet edhe mënyrës së tij të drejtimit. Sipas filozofisë së Hazrollit, karakteri, përgjegjësia dhe gatishmëria për të punuar kanë po aq rëndësi sa kualifikimet formale, një qasje që ai e ka shndërruar në pjesë të kulturës së kompanisë.

Revista gjermane e lidh profilin e tij edhe me konceptin tradicional gjerman të “ehrbarer Kaufmann”, që përfaqëson modelin e sipërmarrësit që ndërthur suksesin ekonomik me integritetin, përgjegjësinë dhe besueshmërinë.

Pas më shumë se dy dekadash në biznes, Hazrolli synon të vijojë me investime të reja, zgjerimin e prodhimit, hyrjen në tregje të tjera dhe krijimin e partneriteteve ndërkombëtare.

Nga një 16-vjeçar që nisi jetën profesionale në Gjermani nga zero, te drejtuesi i një grupi kompanish me mbi 100 të punësuar, rrugëtimi i Burim Hazrollit është kthyer tashmë në një histori suksesi që ka tërhequr edhe vëmendjen e një reviste të orientuar drejt qarqeve diplomatike, politike dhe ekonomike në Gjermani.