Demokrati më i lartë në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Jamie Raskin, ka nisur një hetim ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar dokumente që mund të hedhin dritë mbi marrëdhëniet e organizatës me presidentin Donald Trump dhe administratën e tij.
Në një letër drejtuar Infantinos dhe FIFA-s, Raskin kërkon dorëzimin e çdo dokumenti ose komunikimi që lidhet me dhurata, pagesa apo përfitime të mundshme për Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai ka kërkuar gjithashtu regjistrat e vizitorëve në zyrat e FIFA-s në Trump Tower, të hapura vitin e kaluar në Manhattan, si dhe paraqitjen e Infantinos për një intervistë zyrtare.
Hetimi vjen në një kohë kur marrëdhënia mes presidentit të FIFA-s dhe Trumpit ka tërhequr vëmendje gjatë organizimit të Kupës së Botës. Në dhjetor, gjatë shortit të Botërorit në Uashington, Trump u nderua me një çmim të ri të krijuar nga FIFA, “Çmimi i Paqes i FIFA-s”, ndërsa u raportua se administrata amerikane kishte përshpejtuar punimet në Qendrën Kennedy për organizimin e ceremonisë.
Vëmendja ndaj kësaj marrëdhënieje u shtua edhe gjatë turneut, pasi Trump zhvilloi disa telefonata me Infantinon duke kërkuar rishikimin e pezullimit me karton të kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun përpara ndeshjes së SHBA-së ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ve. FIFA anuloi më pas pezullimin, një vendim që shkaktoi reagime dhe kritika nga federata dhe skuadra të tjera.
Trump ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të Kupës së Botës, së bashku me Infantinon dhe liderët e Kanadasë e Meksikës, pas finales ku Spanja mposhti Argjentinën. Dalja e tyre në fushë u shoqërua me vërshëllima nga tifozët në stadiumin New York-New Jersey.
Në letrën e tij, Raskin përmendi edhe vendimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të hequr dorë nga disa çështje që lidhen me hetimet për korrupsion në futbollin ndërkombëtar, përfshirë skandalin e vitit 2015 që përfshinte zyrtarë të lartë të FIFA-s.
“Zgjedhja juaj si president i FIFA-s duhej të shënonte një shkëputje të qartë nga një kulturë dekadash me korrupsion dhe skandale që dëmtoi reputacionin e futbollit botëror”, shkruan Raskin në letrën e tij.
Ai akuzon Infantinon se ka dobësuar mekanizmat etikë të FIFA-s në fillim të mandatit dhe se afrimi i tij me administratën Trump ka ngritur shqetësime serioze për transparencën dhe konfliktin e interesit.
Letra trajton edhe politikën e FIFA-s për shitjen e biletave të Kupës së Botës, e cila po hetohet nga disa prokurorë të përgjithshëm në SHBA. Përdorimi i çmimeve dinamike, sipas Raskin, ka çuar në rritje të mëdha të çmimeve dhe ka penalizuar tifozët.
“Shkëmbimi i fundit i interesave që FIFA dhe Presidenti Trump kanë organizuar nuk është pa pasoja. FIFA e ka interpretuar statusin e saj të favorizuar në administratën Trump si një mundësi për të abuzuar me konsumatorët”, thuhet në letër.
Raskin i ka vendosur FIFA-s afatin deri më 9 gusht për dorëzimin e dokumenteve dhe caktimin e intervistës. Megjithatë, ai nuk ka kompetencë ta detyrojë Infantinon të paraqitet pa mbështetjen e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes FIFA-s dhe Shteteve të Bashkuara pritet të mbeten në qendër të vëmendjes, pasi SHBA do të jetë pritësi kryesor i Kupës së Botës për femra në vitin 2031, ndërsa suksesi i turneut të këtij viti ka nxitur spekulime se edhe Botërori i meshkujve në vitin 2038 mund të organizohet sërish në territorin amerikan.
FIFA nuk ka komentuar ende zyrtarisht mbi hetimin. Të hënën, Gianni Infantino publikoi një seri prej 15 postimesh në Instagram, ku hodhi poshtë kritikat ndaj tij, akuzoi kundërshtarët për përhapje të narrativave të rreme dhe e cilësoi Kupën e Botës një sukses.


