×
Friday, October 7, 2022

COVID-19/ Pse pandemia është në një fazë kritike

February 2, 2021

Giovanni Rezza


Gjendja e pandemisë, pak më shumë se një vit pas identifikimit të rasteve të para, po hyn në një fazë shumë delikate të tranzicionit.
Nga njëra anë, disponueshmëria e vaksinave, edhe pse është e kufizuar për momentin, ka filluar të tregojë një dritë në fund të tunelit, nga ana tjetër, shfaqja dhe përhapja e varianteve të reja të SARS-CoV-2, ngjall një farë shqetësimi.
Së pari, vaksinat. Vetëm gjashtë muaj më parë, disa do të vinin bast kundër mundësisë së gjetjes së tyre, efektive dhe të sigurta, në një kohë kaq të shkurtër. U tha se “do të duhet ndoshta një vit”, por këto deklarata kishin aromën e një mantre që fshihte nevojën për vetë-siguri. Por gjatë muajit dhjetor 2020, agjencitë më të rëndësishme rregullatore (nga MHRA Britanike te FDA Amerikane, e deri te EMA) aprovuan vaksinat e para për përdorim emergjent.
Bëhet fjalë për produkte që shfrytëzojnë platforma teknologjike shumë inovative – fragmente të padëmshme të ARN-së – të cilat tregojnë një efikasitet mbrojtës ndaj sëmundjes (COVID-19) afërsisht 95%. Dhe tani, vaksinat e tjera, të cilat përdorin platforma të ndryshme të tilla si vektorë viralë (viruse njerëzish ose kafshësh që nuk vetëkopjohen), janë gati për t’u administruar.
Sfida, natyrisht, është të nxitojmë, para së gjithash për të mbrojtur më të ekspozuarit (punonjësit e shëndetësisë) dhe më të prekshmit (të moshuarit), për të siguruar struktura shëndetësore dhe për të ulur vdekshmërinë. Pas kësaj, duhet të nxitojmë për të parandaluar që virusi të qarkullojë shumë shpejt.
Dhe këtu vijmë tek pika e dytë: variantet e virusit. Në fakt viruset, duke u vetëshumuar me shpejtësi, bëjnë gabime, duke pësuar herë pas here mutacion. Disa prej këtyre viruseve që kanë pësuar mutacion përftojnë avantazhe konkurruese kundrejt të tjerëve që janë në qarkullim.
Dhe kështu seleksionohen variante që, brenda një kohe të shkurtër, dalin mbi pjesën tjetër të popullsisë virale duke u bërë dominues. Kjo gjë ka ndodhur me variantin anglez të Kentit, që duket se ka një transmetueshmëri më të lartë në krahasim me shtamat e tjera. Megjithatë, për fat të mirë reagimi ndaj vaksinës nuk duket të jetë kompromentuar.
Përkundrazi, efektiviteti i vaksinave të disponueshme aktualisht mund të ulet pjesërisht në rastin e varianteve të tjera, të tilla si ai i Afrikës së Jugut dhe, mbi të gjitha, varianti brazilian, i cili u shfaq muajt e fundit në Manaus, në Amazonë.

A mos do të thotë kjo që vaksinimi është i kotë? Aspak! Siç ka ndodhur tashmë në Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet të bëhet një garë me kohën dhe, nëse e lejon disponueshmëria e vaksinave (siç kemi parë këto ditë jo gjithmonë kompanitë arrijnë të sigurojnë në kohën e duhur të gjitha dozat e premtuara), angazhimi me një kapacitet të madh organizativ.
Në fakt, sidomos kur një vaksinë është në gjendje të bllokojë infeksionin dhe jo vetëm sëmundjen, vaksinimi i një pjese të madhe të popullsisë do të thotë edhe të krijosh pengesa kundër përhapjes së virusit, duke reduktuar kështu shfaqjen dhe përhapjen e varianteve të reja më të dëmshme.

Në ndërkohë, duhet të pikasen dhe të ndalen në kohë vatra të mundshme të varianteve të reja, duke vazhduar me sjelljen e kujdesshme. në fund të fundit, siç shkruante Elias Canetti, frika që bën që secili individ të trembë të tjerët, do ia lërë vendin kënaqësisë së mbijetesës; në atë pikë, energjitë do të vihen sërish në lëvizje. Mundemi veç të urojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, edhe falë vaksinave.

*Giovanni Rezza është Epidemiolog, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit në Ministrinë e Shëndetësisë së Italisë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments