Nga Kristaq Xharo
Një akuzë për të mbrojtur akuzën. Përpara datës 16 shtator, kur do të shpallet vendimi i gjykatës, prokurori ngriti një akuzëtë re. Ndjesia që të jep akuza e ngritur dje nga Haga kundër ish-drejtuesve të UÇK-së duket si makth dhe paranojë njëherësh. Makthi është frika se ajo që ke ndërtuar për vite e vite mund të shembet sapo të hapësh sytë. Po paranoja? Frika se çdo zë, çdo kujtim dhe çdo hije po komploton kundër teje. Dhe duket se të dyja, makthi dhe paranoja, takohen në të njëjtën sallë gjyqi: në Hagë.
Ndërkohë, ky nuk është një proces dosjesh të ftohta. Për shqiptarët, është gjyqi i shekullit. Në bankën e të akuzuarve janë katër njerëz, por pas tyre qëndrojnë një luftë, një rezistencë dhe një pjesë e historisë sonë. Prandaj pyetja nuk është vetëm se çfarë po ndodh në Hagë, por edhe: çfarë vjen pas Hagës?
Pas vitesh hetimesh, mijëra faqesh dhe qindra dëshmish, të akuzuarit po shfaqen përsëri si kërcënim. Jo vetëm si palë ndaj së cilës Prokuroria duhet të provojë akuzën, por tashmë edhe si makthi prej të cilit kërkohet të mbrohet vetë akuza. Këtu ironia nuk troket; hyn pa leje.
Akuza që denoncon veten… Akuza e re po ngrihet pranë së vjetrës si një patericë për të mbajtur një mur që lëkundet, si një hendek për të ruajtur murin dhe, ndoshta, nesër si një mur tjetër për të mbrojtur hendekun. Nëse akuza është kaq e fortë, përse i duhen kaq shumë mure? Për vite dëgjuam për dëshmitarë të mbrojtur, identitete të fshehura, seanca të mbyllura, masa sigurie, kontrolle dhe protokolle. Një fortesë e tërë u ngrit përreth tyre. Tani na thuhet se të akuzuarit i paskan kapërcyer këto mure. Nëse kjo tezë qëndron, lind vetvetiu pyetja: e kujt ishte përgjegjësia?
Paradoksi tashmë nuk pëshpërit; ai vetakuzon. Nëse të izoluarit nuk paskan qenë vërtet të izoluar dhe dëshmitarët nuk paskan qenë mjaftueshëm të mbrojtur, përse vlejtën gjithë ato vite izolim, nëse sot vetë Haga na thotë se izolimi nuk mjaftoi? Edhe sikur kjo akuzë të gjente një alibi juridike, ajo do të kërkonte dy të pandehur: të izoluarit në sallë dhe vetë Hagën. Duke pretenduar se barrierat e burgut u kapërcyen, institucioni ngre njëkohësisht pikëpyetje mbi protokollet me të cilat përligji vite paraburgimi nën arsyen e mbrojtjes së dëshmitarëve. Akuza synon të rëndojë mbi të burgosurit, por hija e saj bie edhe mbi institucionin që kishte për detyrë t’i ruante ato barriera.
Makthi pas mureve të çara. Për akuzën bazë, të ndryshuar disa herë, u deshën vite hetimesh, mijëra dokumente dhe rindërtimi i një skenari për një luftë të ndodhur dekada më parë. U kërkua edhe ndihma e Beogradit, i cili nuk nguroi të afrohej me çfarë kishte në duar. Ndërsa akuza e re u ngrit me një ngutje tjetër. Mos vallë Haga vrapon më shpejt kur makthi troket në derën e vet?
Dhe cili është makthi? Që muret e akuzës bazë kanë nisur të çahen dhe themelet të lëkunden? Që po bien, njëri pas tjetrit, gurët e vendosur që nga rrëfimi i “Shtëpisë së Verdhë”, nga teza e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe nga përpjekja për të vendosur në të njëjtën peshore pushtuesin dhe rezistencën?
Paradoksi mbetet fortesa e akuzës, mbi të cilën procesi ka hapur gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Kur një mur nis të çahet, mjeshtri ka dy mundësi: të kontrollojë themelet ose të ndërtojë një tjetër përpara tij. Dhe këtu lind pyetja: mos vallë Haga ka zgjedhur murin? A po ngrihet akuza e re si mur mbrojtës për akuzën e vjetër?
Kur akuza i kërkon dëshmitarët në rresht. Nëse kujtojnë atë që mbështet akuzën, kujtesa bëhet gur në murin e saj; kur kujtojnë ndryshe, nis të dëgjohet krisja. Avokatja SophieMenegon vendosi mbi tryezë pikërisht gurin që nuk hyn lehtë në mur: Mustafa, Bislim Zyrapi dhe “Dëshmitari 4”, sipas argumentimit të mbrojtjes, kanë pohuar para vetë ZPS-së se askush nuk kishte ndërhyrë tek ata. Atëherë, ku fshihet ndikimi? Mos vallë dëshmitari është i besueshëm vetëm kur kujtesa e tij marshon në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa bëhet i dyshimtë sapo ndalet përpara portës së saj?
Nëse po, atëherë kemi nënvlerësuar fuqinë e një qelie në Hagë. Një njeri i izoluar, i survejuar dhe i kontrolluar paska mundur të kalojë muret, kamerat dhe protokollet, të hyjë në kujtesën e njerëzve dhe t’ua rregullojë historinë. Edhe Franz Kafka do ta kishte zili një skenar të tillë. Haga duket se ka nevojë për një rrugëdalje nga ky sokak qorr.
Këtu makthi shartohet me paranojën. Nëse të akuzuarit heshtin, fshehin; nëse flasin, ndikojnë; nëse kujtojnë, manipulojnë. Dhe kur dikush kujton si ata, qenka ndikuar. Nëse historia nuk përputhet me akuzën, mos vallë fajin duhet ta ketë historia? Të akuzuarit idealë mbeten kështu ata pa zë, pa kujtesë dhe, mundësisht, pa hije.
Fuqia e dëshmisë. Përballë dëshmitarëve të mbuluar nga anonimiteti, me kode dhe identitete të fshehura, mbrojtja solli në sallë emra me peshë ndërkombëtare: Wesley Clark, JamesRubin, Christopher Hill, Jock Covey, John Duncan dhe MichaelDurkee. Ata nuk e njohën luftën nga korridoret e ftohta të Hagës. E panë nga afër, takuan drejtuesit e UÇK-së dhe vepruan në qendrat e fuqisë botërore ku merreshin vendime për fatin e luftës dhe të Kosovës. Dëshmia e tyre nuk ishte një pëshpërimë pas perdes; ishte një pjesë e historisë që hyri në sallë me emër, fytyrë dhe përgjegjësi.
Kur akuza e parë kërkon një të dytë për t’u mbrojtur, cila po mban cilën mbi ujë? Menegon, avokatja e njërit prej të akuzuarve, ia hoqi paradoksit petkun juridik dhe e la përballë pyetjes së vet: sipas argumentit të mbrojtjes, kërkohet një dënim i rëndë për biseda të zhvilluara në paraburgim, ndërkohë që jashtë mureve nuk u provua pasoja që pretendohej se synohej. Atëherë, çfarë po peshohet: pasoja që ndodhi apo frika se mund të kishte ndodhur? A po kapet Haga, si i mbyturi pas fijes së kashtës, për ta mbajtur gjallë akuzën e vjetër? Sepse fija e kashtës, sado fort ta shtrëngosh, nuk bëhet litar.
Gjyqi i shekullit. Ka gjyqe që peshojnë fate njerëzish dhe ka gjyqe mbi të cilat rëndon pesha e një epoke. Ky është një prej tyre. Në Hagë nuk maten vetëm fajësia apo pafajësia e katër burrave; për shqiptarët, aty preket kujtesa e një populli që luftoi për të dalë nga robëria dhe për të hyrë në histori me emrin e vet. Prandaj çdo dëshmi, çdo heshtje dhe çdo vendim do të shkojë shumë përtej mureve të asaj salle. Sepse në Hagë sot nuk jehon vetëm fati i katër burrave; aty troket një shekull shqiptar përpjekjesh për liri, me plagët, sakrificat dhe kujtesën e tij.
Por historia nuk mbahet në paraburgim. Një ditë muret bien. Kamerat fiken. Dosjet mbyllen. Dhe atëherë askush nuk pyet më sa të larta ishin muret. Pyetja është çfarë mbanin brenda?
Dhe pas gjithë kësaj mbetet pyetja që, për shqiptarët, është më e madhe se vetë procesi: Çfarë vjen pas Hagës?
* Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET(Prof. Dr/ kolonel R)


