Bushati në Departamentin Amerikan të Energjisë: Shqipëria synon forcimin e bashkëpunimit energjetik me SHBA

05 Oct 2026 • 21:22
Shpërndaje:

Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Energjisë me Dan Byers, Zëvendësndihmës Sekretar për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë, në një kohë kur siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe zhvillimi i infrastrukturës së qëndrueshme po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe për zhvillimin ekonomik.

Gjatë takimit u diskutua për krijimin e një dialogu të rregullt dhe konkret mes Shqipërisë dhe Departamentit Amerikan të Energjisë, si dhe për mundësitë për rritjen e investimeve, teknologjisë dhe ekspertizës amerikane në sektorin energjetik.

Reklamë Ola

Në fokus ishte gjithashtu forcimi i rrjetit dhe infrastrukturës energjetike, si dhe perspektivat për bashkëpunim në fusha të reja që ndërthurin energjinë, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.

Ambasadori Bushati theksoi se Shqipëria synon që dimensioni energjetik të bëhet një komponent edhe më i fortë i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Reklamë InterMedika

“SHBA mbeten partneri kryesor strategjik i Shqipërisë”, u shpreh Bushati, duke nënvizuar se synimi është që marrëdhënia e fortë politike dhe e sigurisë mes dy vendeve të përkthehet gjithnjë e më shumë në projekte konkrete, investime dhe bashkëpunim ekonomik e teknologjik.