Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, është takuar me drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, me fokus luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.
Në një reagim publik, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri të ditur se këto çështje janë ndër përparësitë kryesore të administratës së Presidentit Donald Trump.
“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit Donald Trump”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, në takim u diskutua edhe roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë në përballimin e këtyre sfidave dhe rëndësia e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rëndësinë e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrën se si partneriteti ynë kontribuon në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet”, theksoi Ambasada Amerikane.
Ky ishte takimi i parë i Wendt me Klodian Brahon që prej nisjes së mandatit të ambasadorit të ri amerikan në Tiranë.
Wendt ka zhvilluar gjatë ditëve të para të mandatit të tij një seri takimesh me drejtues të institucioneve shqiptare, ndërsa mbështetja për institucionet e drejtësisë dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë janë vendosur në qendër të kontakteve të tij të para zyrtare.


