Meloni kërkon të regjistrojë zërin si markë për t’u mbrojtur nga deepfake-et

05 Oct 2026 • 18:02
Shpërndaje:

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paraqitur një kërkesë pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO) për të regjistruar zërin e saj si markë, në një përpjekje për t’u mbrojtur nga klonimi dhe përdorimi i paautorizuar përmes inteligjencës artificiale.

Kërkesa, e depozituar më 5 tetor, shoqërohet me një regjistrim audio prej katër sekondash, ku Meloni thotë: “Io sono Giorgia Meloni” – “Unë jam Giorgia Meloni”. Dosja rezulton aktualisht në shqyrtim nga EUIPO.

Sipas ANSA-s, kërkesa është paraqitur përmes një studioje ligjore në Romë dhe një kompanie të specializuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Regjistrimi lidhet me tri kategori shërbimesh, përfshirë përmbajtje multimediale të shkarkueshme, aktivitete kulturore dhe organizimin e manifestimeve politike.

Reklamë Ola

Nisma synon t’i japë kryeministres një instrument shtesë ligjor kundër përdorimit të zërit të saj në materiale të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Regjistrimi si markë nuk do të ndalonte automatikisht krijimin apo shpërndarjen e deepfake-eve, por mund ta forconte pozitën ligjore të Melonit në kërkesat për heqjen e përmbajtjeve ose në procese kundër përdorimit të paautorizuar të identitetit të saj zanor.

Reklamë InterMedika

Meloni është përballur edhe më parë me materiale të manipuluara me inteligjencë artificiale. Në vitin 2024 ajo ndërmori veprime ligjore në një çështje që lidhej me video pornografike deepfake të krijuara duke përdorur imazhin e saj.

Rasti i kryeministres italiane vjen ndërsa gjithnjë e më shumë figura publike po kërkojnë forma ligjore për mbrojtjen e zërit dhe imazhit nga teknologjitë gjenerative. Në Itali, këngëtarja Giusy Ferreri kishte ndërmarrë më herët një hap të ngjashëm për mbrojtjen e zërit të saj.

Zhvillimi i shpejtë i mjeteve për klonimin e zërit dhe krijimin e videove realiste të manipuluara ka shtuar debatin në Evropë mbi mbrojtjen e identitetit dixhital, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanë dhe figura të tjera publike.