Borrell në Serbi: Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, në Beograd ka de se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Borrell tha se bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ripërtërihen dhe nuk i takon BE-së të vendosë se cili do të jetë rezultati përfundimtar i këtij dialogu.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe duhet të jetë pjesë e BE-së gjeografikisht, ideologjikisht dhe për shkak të aspiratave të qytetarëve”, tha Borrell në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ai tha se ekziston “punë e rëndësishme që duhet bërë”.
“Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojnë dhe shpresoj se kjo do të ndodhë, ndërsa kur të ndodhë, BE-ja do të jetë e gatshme të ndërmjetësojë në atë dialog”, tha ai.
Sipas tij, nuk i takon BE-së që të vendos se cili do të jetë rezultati përfundimtar i këtyre bisedimeve, por për Kosovën dhe Serbinë, BE-ja duhet të përfshihet më shumë në ndërmjetësim.
Borrell tha se me Vuçiç ka biseduar për mundësinë e një përfaqësuesi të veçantë në ndërmjetësimin e dialogut.
“Diçka duhet të qëndrojë në tryezë, sepse perspektiva e ardhshme e Serbisë dhe Kosovës përballë BE-së varet kryesisht nga ajo marrëveshje”, shtoi ai.
Ai tha se Serbia është partnere kryesore për Bashkimin Evropian dhe përcolli se sa e përkushtuar është BE-ja për pranimin e Serbisë, që nënkupton përpjekje më të mëdha nga Serbia dhe BE-ja.
“Do të orvatem në çdo mënyrë të ndihmojë që Ballkani Perëndimor të ketë perspektivë më të thellë drejt BE-së. Shpresoj që nga e hëna të ecim drejt një të ardhme më të mirë”, tha ai, duke menduar në votimin e qeverisë së re të Kosovës, e cila është në rend dite të hënën në Parlament.
Presidenti serb Vuçiç përshëndeti qëllimin e Borrell-it për të emëruar një të dërguar për të ndërmjetësuar dialogun.
“Jemi të gatshëm menjëherë sapo të hiqet taksa të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë çështjet thelbësore midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Vuçiç, duke shtuar se shansi për kompromis ka qenë më i madh disa vjet më parë.
Vuçiç i përcolli Borrell-it propozimin se nëse Serbia nuk mund të hyjë në BE, të paktën të fitojë kufij të hapur me vendet e Shengenit.
Eunew.al