Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përgatitet të vendosë tarifa të reja doganore ndaj Kinës, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, me argumentin se subvencionet industriale të këtyre ekonomive dëmtojnë konkurrueshmërinë e kompanive amerikane.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e cila citon burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, masat e reja tarifore lidhen me një hetim të nisur nga administrata amerikane mbi subvencionet që Kina, Bashkimi Evropian dhe 14 vende të tjera ofrojnë për mbështetjen e industrive vendase.
Ende nuk është përcaktuar data e hyrjes në fuqi të tarifave të reja dhe as niveli përfundimtar i tyre. Megjithatë, për Bashkimin Evropian dhe Japoninë, tarifat mund të arrijnë deri në 15%.
Nisma e administratës Trump rrezikon të shtojë tensionet tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe partnerëve të tij ndërkombëtarë, duke krijuar pasiguri të mëtejshme për bizneset dhe tregjet globale.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur politika proteksioniste e administratës amerikane dhe përdorimi i tarifave doganore si instrument i politikës ekonomike vijojnë të shkaktojnë shqetësime për marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare.


