Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të eurozonës të tregojnë kujdes në administrimin e financave publike, në një kohë kur rritja e deficiteve buxhetore dhe normave të interesit po shton kostot e shërbimit të borxhit publik.
Sipas raportit ekonomik të publikuar sot nga Komisioni Evropian, deficiti buxhetor i 21 vendeve që përdorin euron si monedhë të përbashkët parashikohet të arrijë në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026, përpara se të rritet në 3,6% në vitin 2027 dhe në 3,8% në vitin 2028.
Këto parashikime tejkalojnë kufirin prej 3% të PBB-së të përcaktuar nga rregullat fiskale të Bashkimit Evropian, të cilat parashikojnë disa përjashtime të kufizuara për shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe energjinë.
“Zbatimi i politikave fiskale të kujdesshme për të mbrojtur stabilitetin ekonomik dhe financiar në një botë të pasigurt është thelbësor”, deklaroi komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.
Sipas Komisionit, rritja e deficiteve buxhetore lidhet kryesisht me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, kostot më të larta të interesave të borxhit publik dhe masat mbështetëse për qytetarët dhe bizneset përballë rritjes së kostove të energjisë.
Krahas konsolidimit fiskal, ekzekutivi evropian u ka kërkuar vendeve anëtare të harmonizojnë politikat kombëtare për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, si dhe të investojnë në krijimin e vendeve cilësore të punës.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné, nënvizoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet vendeve anëtare për forcimin e ekonomisë dhe industrisë evropiane.
“Konkurrueshmëria dhe fuqia industriale e Evropës varen nga aftësia jonë për të vepruar së bashku. Duke harmonizuar politikat evropiane dhe ato kombëtare, mund t’i shndërrojmë ambiciet tona industriale në rezultate konkrete dhe në mirëqenie”, deklaroi Séjourné.


