Merz viziton Romën, takime me Papa Leon XIV dhe Melonin për Ukrainën dhe inteligjencën artificiale

24 Nov 2026 • 15:56
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të udhëtojë të hënën e ardhshme drejt Romës, ku do të zhvillojë takime me Papa Leon XIV dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, raportoi POLITICO, duke cituar tre zyrtarë në dijeni të përgatitjeve të vizitës.

Takimi në Vatikan, që pritet të jetë audienca e parë private e Merzit me Papa Leon XIV, do të fokusohet në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, sfidat e inteligjencës artificiale dhe përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë.

Kancelari gjerman pritet të takohet gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe rikthimin e diplomacisë.

Reklamë Ola

Një zëdhënës i qeverisë gjermane refuzoi të komentonte mbi vizitën, duke sqaruar se udhëtimet e kancelarit njoftohen zyrtarisht të premten e javës pararendëse.

Merz, i cili është katolik, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Leonit XIV në maj të vitit 2025, por nuk zhvilloi një takim privat me të. Në fillim të tetorit, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul zhvilloi bisedime me kardinalin Parolin mbi inteligjencën artificiale, luftën në Ukrainë dhe eksportet e drithërave përmes Detit të Zi.

Reklamë InterMedika

Vatikani ka ndërmjetësuar mes Kievit dhe Moskës për kthimin e fëmijëve ukrainas të deportuar në Rusi. Papa Leoni XIV ka ofruar vazhdimisht mundësinë e organizimit të negociatave të drejtpërdrejta të paqes në Vatikan, propozim që është refuzuar nga Moska.

Inteligjenca artificiale përbën gjithashtu një nga çështjet prioritare të pontifikatit të Papa Leonit XIV. Enciklika e tij e parë, “Magnifica humanitas”, e cila trajton mbrojtjen e dinjitetit njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale, ishte pjesë e listës së leximeve verore të kancelarit gjerman.

Ndërkohë, takimi i Merzit me kryeministren italiane Giorgia Meloni pritet të përqendrohet në buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Europian dhe negociatat për paqen në Ukrainë.

Sipas POLITICO-s, Meloni ka siguruar përfshirjen e Italisë në negociatat e ardhshme si pjesë e grupit europian “E5”, ku bëjnë pjesë gjithashtu Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia.