Balla për përjashtimin e Spiropalit: Çështjet e organizimit të brendshëm nuk janë objekt diskutimi me mediat

24 Nov 2026 • 15:39
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar vendimmarrjen për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i PS-së, duke refuzuar të japë detaje mbi arsyet dhe motivacionin e këtij vendimi.

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar, Balla u shpreh se çështjet që lidhen me organizimin dhe disiplinën e brendshme të Partisë Socialiste nuk janë objekt diskutimi me mediat.
Ai konfirmoi se vendimmarrja është marrë në përputhje me statutin dhe rregulloren e Grupit Parlamentar, duke iu referuar edhe nenit 28 të kësaj rregulloreje. Balla tha se dokumentacioni përkatës do t’i vihet në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë dhe konfirmoi se do të komunikojë me Spiropalin për vendimin.

Gjatë prononcimit, Balla u ndal edhe te diskutimet për buxhetin e vitit 2027, të cilin e cilësoi si buxhetin më të madh në historinë e vendit dhe buxhetin më të madh social. Ai veçoi uljen e TVSH-së së ushqimeve në 6%, heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve, mbështetjen për familjet e reja, studentët dhe dyfishimin e bonusit të pensionistëve.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, Balla deklaroi se afati i 30 nëntorit për përfundimin e punës së Komisionit të Posaçëm mbetet në fuqi, ndërsa theksoi se ligji për financimin e partive politike duhet të miratohet deri më 31 dhjetor, në përmbushje të detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Ai mbështeti gjithashtu votimin dhe numërimin elektronik, duke vlerësuar përvojën e zgjedhjeve të zhvilluara në Elbasan, Kamëz, Vorë dhe Njësinë 10 në Tiranë.

Reklamë Ola

Më poshtë, komunikimi i plotë i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me gazetarët:

Gazetar
Zoti Balla, përse e përjashtuat Elisa Spiropanin nga grupi parlamentar socialist?

Reklamë InterMedika

TB
Sot Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kishte në shqyrtim buxhetin e shtetit 2027, paketën fiskale që shoqëron buxhetin e shtetit. Është buxheti më i madh në histori, jo vetëm si vlerë mbi 10 miliardë euro, por është edhe buxheti më i madh social për të cilin jemi krenarë si socialistë. Tani janë pjekur kushtet që të mbajmë disa prej angazhimeve tona në kuadër të programit tonë `Shqipëria 2030`, kur shqiptarët na votuan një shumicë si asnjëherë tjetër në 11 maj 2025, ishim angazhuar për uljen e TVSH-së së ushqimeve së ushqimeve. Nuk e bëmë dot në vitin tonë të parë buxhetor, pra për vitin 2026. Po e bëjmë për vitin 2027 e tutje. Prej 1 janarit, në të gjitha pikat e shitjes së ushqimeve, ushqimet do të jenë më të lira, sepse me uljen në 6% të TVSH-së së ushqimeve, marr për shembull një kilogram miell, nuk do të jetë 1 000 lekë, por do të jetë 880 lekë. Dhe shumë prej atyre që thonë që çmimet nuk do të ulen, ne do të jemi këtu përsëri së bashku, do të jemi edhe në terren bashkë me kolegët deputetë, për të verifikuar dhe për të parë dhe për të treguar uljen e çmimeve. E dyta, ka të bëjë me vendimin për të hequr taksën e qarkullimit nga ëmimi Ii shitjes ne pakicë të karburanteve. 324 lekë ulen për ëdo litër karburant e cila do të reflektohet menjëhërë më 1 janar. E dhe kj odo të ketë një ëprfitim të drejtpërdrejtë te qytetarët. Mos harroni asnjëhërë që vetëm këto dy politika kthejnë tek qytetarët mbi 500 milionë euro, të cilat mbeten në buxhetet familjare.
Të mos harrojmë, tjetra angazhimi ynë ka qenë pjesa e mbështetjes së familjeve të reja. 7.000 apartamente drejtpërdrejt dhe 3.000 pra 10.000 apartamente vihen në dispozicion të çifteve të reja falë edhe ligjit që miratuam javën e kaluar, për Strehimin Social dhe Buxhetit që miratojmë, ditën e enjte. Dhe pastaj, pjesë e kësaj pakete të rëndësishme të buxhetit është edhe mbështetja për studentët. Do ta mbaroj, duroni. Studentët janë përfitues kryesorë, jo vetëm për shkak të rritjes së bursës. Për studentët që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike, nga 100.000 lekë në 250.000 lekë, ose thuajse gjysma e pagës minimale në ekonomi,. Janë mbi 28.000 studentë të cilët trajtohen me 50% të tarifës së arsimore në Shqipëri. I vetmi vend sot në Ballkanin Perëndimor që trajton një numër kaq të madh studentësh me tarifë preferenciale të studimeve të larta dhe, le të themi se lajmi i mirë është edhe përfshirja e nivelit master në këtë politikë.
Janë një sërë politikash, ne e kemi diskutuar gjate edhe pjesën e bonusit, tani nuk është më bonusi i bebes por është bonusi i fëmijës. Deri ne moshën 5 vjecare cdo fëmijë që lind prej 1 korrikut 2027 do të trajtohet me 50.000 apo 100.000 lekë në muaj dhe synojmë që me këtë rritje të buxhetit vit pas viti, të shtohet mosha. Ndoshta, unë shpresoj shumë, diskutimi në ato mbledhjet tona ka qenë që të ishte jo 5 vjeç, po të jetë dhe më shumë. Sa më shumë të ardhura të krijojë qeveria, do të vihen në funksion të tyre politike, pa harruar pastaj edhe pjesën më të rëndësishme, jo vetëm për mua personalisht, por për gjithë grupin tonë parlamentar, për Partinë Socialiste, që është dyfishimi i bonusit të pensionistëve, duke filluar nga 1 janari.
Nëse një pension u rrit me 18 000 lekë në janar të 2026-s, do të rritet me 36 000 lekë në, në janar të 2027-s.
Tani, kemi pasur pra të gjitha këto diskutime. Në fund të mbledhjes së grupit parlamentar, kemi diskutuar edhe për çështjet e organizimit të brendshëm dhe disiplinës së brendshme të Partisë Socialiste, të cilat nuk janë objekt diskutimi me mediat.

Gazetar
Mbi ëfarë motivacioni e keni shkarkuar, ëfarë beri Elisa Spiropali?

TB
Çështjet e diskutimit të brendshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk janë objekt diskutimi.

Gazetar
Zoti Balla, pse keni kërkuar nga Grupi Parlamentar autorizim për të komunikuar me zonjën Spiropali?

TB
Jo, nuk është. Ta kanë treguar gabim ata që t’i tregojnë ty, dhe ndrysho, ndrysho burimin në grupin tonë parlamentar.

Gazetar
Ju e keni përjashtuar sot zonjën Spiropali. Keni votuar pro të gjithë, me përjashtim të dy abstenimeve.

TB
Do të keni, dokumentacionin që do t’i vihet në funksion Kuvendit të Shqipërisë lidhur me këtë vendimmarrje të Asamblesë Kombëtare dhe e cila, në zbatim të rregullores së Kuvendit, rregullores së Grupit Parlamentar, u njoftua sot edhe në, në grupin parlamentar. Pas 9 vitesh në grupin parlamentar, mua më vjen shumë keq, që, duhet të shkonim në këtë vendimmarrje, po këtu do jemi, kjo legjislaturë do 30 muaj deri në fund të saj. Të lutem shumë, nëse ju do vazhdoni kështu, s’keni për të marrë ndonjëherë përgjigje.
Tani po i përgjigjem koleges tënde dhe po i them që në rastin në fjalë, kemi një vendim i cili është fjalë për fjalë, sipas statutit dhe rregullores. Kjo ndodh edhe në grupin parlamentar Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian. Kjo ndodh edhe në grupin Socialdemokrat gjerman në Bundestagun gjerman. Dhe rregulloren e Grupit Parlamentar, nëse doni, jua vë në dispozicion. Ka një nen 28 i rregullores së grupit parlamentar, janë çështjet e organizimit të brendshëm.

Gazetar
A e thotë rregullorja e grupit që duhej dëgjuar zonja Spiropali përpara përjashtimit?

TB
Lexoje dhe pastaj do më japësh të drejtë mua.

Gazetar
Zoti Balla, do të komunikoni me zonjën Spiropali për këtë vendimmarrje?

TB
Pa dyshim, pa dyshim, kjo unë komunikoj me të gjithë deputetët e Kuvendit. Dhe ju thashë, do të komunikoj, do ta komunikoj edhe këtë vendim.
Gazetar
– Zoti Balla, nga ana tjetër, nesër pritet mbërritja e ekspertëve të Komisionit të Venecias, ndërkohë që afati i reformës i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është 30 nëntori. A ka shanse që të shtyhet përtej 30 nëntorit kjo, ky komision, për shkak se edhe vetë Bashkimi Europian, por edhe institucione të tjera, janë shprehur që të mos, të mos i bihet në qafë, në thonjëza, cilësisë, për shkak të shpejtësisë?

TB
Tani, të lutem shumë, Bekim, nuk ka, këtu vetëm shpejtësi nuk ka pas. Ka 7 vjet që diskutohet dhe mbas 7 vjetësh të gjithë jemi dakord me atë draft. Kemi bërë një lexim të parë nga Komisioni i Venecias, e falenderoj Komisionin e Venecias që shprehu dakordësinë menjëherë për të ardhur eksperti këtu dhe koha është e mjaftueshme që deri në përfundim të këtij sesioni, që është seanca e fundit e 21 dhjetorit, ju do jeni bashkë me mua aty, edhe festën e vitit të ri nuk do ta kemi bërë deri atë ditë, kështu që do ta, koha është e mjaftueshme për të kaluar.

Gazetar
Kjo është e njëanshme, njëjtë si me territorialen, zoti Balla. Pra, ju përsëri do ta bëni e vetme.

TB
Tani, për ligjin e financimit të partive politike, nuk ka njëanshmëri, sepse në nivel, në nivel ekspertësh ka dakordësi. Tani, nëse eksperti i Komisionit të Venecias do të ketë rekomandimet e veta, besoj që, bashkarisht do ishte mirë të, të, adresohen ato dhe të depozitohet drafti i ligjit, brenda afatit të komisionit, pra brenda datës 30.

Gzetar
Po, por në komision nuk është vetëm financimi, janë dhe ligji për shpërndarjen e draftit për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve dhe paketa e Partisë Demokratike ku është nga Partia Demokratike për ekspertët që të punohet mbi këto tre pika?

TB
Tani, kini parasysh që ky komision ka një vit që punon. Edhe për këto çështje, edhe për këto çështje ka, nevojë, ka dhe kohë mjaftueshmërisht që të adresohen. Bashkëkryetarët e komisionit, kur kemi rënë dakord para 6 muajsh që ta shtyjmë, 5 muajsh, ka qenë në korrik, mos gaboj, kanë thënë që data 30 do jetë data e fundit. Tani, dëshira jonë është që të mos shkojmë kurrë në mënyrë të njëanshme, por janë disa afate dhe këtu përsëri po ju ricitoj diçka që e kam komunikuar me ju, dy javë më parë. Dhe bëhet fjalë, ligji i partive politike, duhet të miratohet nga Shqipëria brenda 31 dhjetorit të këtij viti. Është detyrim. Do ta dëgjoni këtë fjali nga ana ime, edhe ditën e enjte, kur në katin e katërt të saj godine, në kuadër të Këshillit Kombëtar të Integrimit, do të jemi me komisioneren Marta Kos dhe me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në parlament për nevojën që ka Shqipëria që t’i përmbahet afateve të përcaktuara nga Komisioni Europian në rrugën tonë të përafrimit të legjislacionit, pra në rrugën tonë të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit.

Gazetar
Por meqë janë përfshirë dhe ndërkombëtarët, ekspertët e Venecias që do vijnë edhe do dihet nëse do kthehen përgjigje. Dhe ata kërkojnë më shumë kohë, ndoshta një muaj. Ju jeni të gatshëm si forcë politike t’i jepni edhe më shumë kohë, apo 30 është afati përfundimtar?

TB
Unë gjithmonë nuk i kam informacionet që keni ju, zonja gazetare. Ju keni informacion që thoni që eksperti i Komisionit të Venecias do kërkojë më shumë kohë. Nuk e kam këtë informacion.

Po nuk e di, unë nuk bëj dot orakullin. Ajo që po ju them është që ne kemi dakordësuar 6 muaj më parë që 30 nëntori do të jetë afati i fundit dhe e vërteta është që kjo historia që çdo 6 muaj e shtyjmë dhe s’bëjmë asnjë punë, duhet të marrë fund në një moment të caktuar për të ecur përpara. Megjithatë, megjithatë, në funksion të, të, të punës së mirë dhe në funksion të përmbushjes, së, le të themi, të bashkëjetesës parlamentare, do t’i shohim të gjitha. Por po e përsëris, për ligjin e financimit të partive politike, do të votohet më datë 21 dhjetor.

Gazetar
Zoti Balla, krahas votimit elektronik, Partia Demokratike po kundërshton, të paktën nëpërmjet një kërkese, edhe identifikimin elektronik. Keni ju një koment?

TB
Po, e kam një koment për këtë çështje. Eksperienca e sa palë zgjedhje u bënë me votime elektronik? U bënë tre palë. 2021, 2023 dhe 2025. Eksperienca e bashkive Elbasan, Kamëz, Vorë, apo Njësia 10, Tiranë, ka treguar që ka qenë një eksperiencë tejet pozitive. Nuk ka gjë më të bukur që, sapo mbyllen qendrat e votimit, sapo mbyllet procesi, del edhe rezultati. Tani, e kam dëgjuar, drejtuesin e Partisë Demokratike që thotë: “Jam kundër.” Po e njëjta parti ka qenë ajo që ka qenë pro. Edhe me këtë zotërinë kryetar, pra i referohem këtu zgjedhjeve të fundit, atyre të 2025-s, dhe askush nuk ka vënë dyshim, edhe ju mediat, apo, le të themi, vëzhgues të pavarur të zgjedhjeve, integritetin e plotë të procesit që vjen nga përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, rasti bie I votimit dhe numërimit elektronik. E mbështesim plotësisht votimin dhe numërimin elektronik, sikurse unë e kam thënë. Personalisht mendoj që shqiptarët meritojnë, si të gjitha vendet e tjera, nxjerrjen e rezultatit brenda natës së ditës së votimeve. Dhe për këtë, zgjidhja më e mirë do të ishte numërimi në qendrën e votimit. Dikur, para 32 vitesh, kam qenë vëzhgues i Partisë Socialiste në referendumin e 6 nëntorit 1996, apo komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 26 majit 1996. Në atë kohë, rezultati dilte në qendrën e votimit.

Gazetar
Zoti Balla, edhe një pyetje tjetër për t’ju rikthyer çështjes së zonjës Spiropali, e cila ka hedhur akuza shumë të forta për mënyrën se si drejtohet Partia Socialiste, qoftë në Asamblenë që keni mbajtur dy javë më parë, apo edhe, publikisht. A është zonja Spiropali viktimë apo kurban i luftës mes klaneve, siç ka pretenduar ajo, apo e kultit të individit që është ngritur brenda Partisë Socialiste, siç ka guxuar të thotë edhe publikisht për zonjën Balluku, apo ka shkelur një rregull të Partisë Socialiste, ka thyer një vendim politik, pasi deri më tani nuk kemi parë asnjë vendim kundër për të cilin zonja Spiropali të ketë dalë me votë në parlament?

TB
Unë nuk i shoh këto emisione të darkës, kështu që s’kam koment për këtë çështje. Faleminderit shumë.