Balla: Hetimet ndaj ish-drejtores së SHISH t’i lihen SPAK-ut, askush nuk është mbi ligjin

01 Oct 2026 • 10:03
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se hetimet ndaj ish-drejtores së Shërbimit Informativ Shtetëror duhet t’i lihen në dorë organeve të drejtësisë.

Balla tha se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucione të tjera.

“Presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje”, u shpreh Balla.

Reklamë Ola

Sipas tij, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar apo zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova apo për të përcaktuar përgjegjësi individuale në çështje penale.

“Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Balla theksoi gjithashtu se shumica qeverisëse, sipas tij, i është përmbajtur qëndrimit të shprehur që në nisje të Reformës në Drejtësi, duke mos ndërhyrë në çështjet që janë në kompetencë të prokurorisë dhe gjykatave.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, tha Balla, duke shtuar se PS nuk do të bëjë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Duke iu referuar shkarkimit të menjëhershëm të ish-drejtores së SHISH, Balla e cilësoi këtë si një shembull të kësaj qasjeje. Ai përmendi gjithashtu institucionet që kanë kompetenca mbikëqyrëse apo kontrolluese ndaj shërbimit, ndërsa theksoi se vlerësimi i përgjegjësive konkrete i takon prokurorisë dhe gjykatës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS kundërshtoi gjithashtu publikimin e pjesshëm të materialeve hetimore, duke deklaruar se ato nuk duhet të përdoren për të ndikuar opinionin publik.

“Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë”, u shpreh Balla.

Në vijim, ai tha se deri më tani nuk ka pasur shqetësime të shprehura nga partnerët ndërkombëtarë dhe përsëriti thirrjen që SPAK dhe gjykatat të lejohen të përfundojnë procesin në mënyrë të pavarur.