Demo takon ambasadorin britanik, fokus krimi i organizuar dhe emigracioni i parregullt

30 Sep 2026 • 22:08
Shpërndaje:

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott, me fokus forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Sipas njoftimit të ministrit, në qendër të diskutimeve ishte intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe narkotikëve, si dhe migracionit të parregullt.

Demo theksoi se dialogu mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar përbën një bazë të rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes strukturave të dy vendeve.

Reklamë Ola

Sipas tij, një rol të veçantë do të ketë shkëmbimi i informacionit, forcimi i kapaciteteve profesionale dhe zhvillimi i operacioneve të koordinuara mes institucioneve ligjzbatuese.

“Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar mbetet i rëndësishëm për sigurinë e dy vendeve tona dhe të gjithë rajonit”, u shpreh Demo në reagimin e tij.

Reklamë InterMedika

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë intensifikuar bashkëpunimin në çështjet e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Në gusht, dy vendet njoftuan edhe një marrëveshje për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga veprimtari kriminale, e para e këtij lloji në rajon.

Marrëveshja erdhi pas një hetimi të lidhur me furnizimin me kanabis të grupeve kriminale në Angli dhe Uells, ku autoritetet britanike dhe shqiptare bashkëpunuan për identifikimin dhe rikuperimin e të ardhurave nga krimi.