Al-Khelaifi përmendet si rival i Infantinos në garën për FIFA-n

02 Aug 2026 16:18
Shpërndaje:

Zyrtarë të futbollit europian po shqyrtojnë mundësinë që presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, të kandidojë për drejtimin e FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ndërsa po rritet pakënaqësia ndaj presidentit aktual, Gianni Infantino.

Sipas POLITICO, lëvizja vjen pas reagimeve të forta ndaj planit të Infantinos për të shitur një pjesë të të drejtave tregtare të Kupës së Botës tek investitorë privatë. Projekti ka nxitur kritika nga UEFA, federata kombëtare dhe politikanë europianë, të cilët po kërkojnë një alternativë për drejtimin e organizatës.

Burime të larta të futbollit ndërkombëtar thanë se emri i Al-Khelaifit është diskutuar si një kandidat serioz. Ai është president i Paris Saint-Germain, drejton Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) dhe është në krye të grupit mediatik beIN.

Reklamë Ola

Megjithatë, një përfaqësues i Al-Khelaifit mohoi zërat për një kandidim, duke deklaruar se ai “nuk ka asnjë ambicie, asnjë synim dhe asnjë interes” për postin e presidentit të FIFA-s.

Ndërkohë, UEFA pritet të zhvillojë një mbledhje emergjente me 55 federatat anëtare për të diskutuar një qëndrim të përbashkët ndaj planit të FIFA-s, përfshirë edhe mundësinë e bojkotimit të Kupës së ardhshme të Botës.

Reklamë InterMedika

Plani i Infantinos parashikon krijimin e një kompanie të re që do të menaxhojë të drejtat tregtare të kompeticioneve të FIFA-s, ndërsa 20% e aksioneve të saj do t’u shiten investitorëve privatë. Sipas raportimit, firma amerikane Thrive Capital, e drejtuar nga Josh Kushner, vëllai i Jared Kushner, është investitori kryesor i parashikuar në këtë marrëveshje.

Infantino argumenton se projekti do të sjellë miliarda dollarë të rinj për zhvillimin e futbollit në mbarë botën. Për të siguruar mbështetjen e federatave anëtare, FIFA ka propozuar edhe rritjen e fondeve të programit “FIFA Forward”, ku secila nga 211 federatat mund të përfitojë deri në 20 milionë dollarë financim shtesë nëse plani miratohet.

Presidenti aktual i FIFA-s ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat të tretë të plotë në zgjedhjet e vitit 2027, ndërsa marrëdhënia e tij e afërt me presidentin amerikan Donald Trump ka shtuar kritikat, veçanërisht në Evropë.