AFET miraton raportin për Shqipërinë, Hoxha: Vlerësim i qartë për progresin drejt BE-së
Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar sot raportin për Shqipërinë në kuadër të progresit të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një zhvillim që është vlerësuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme si një konfirmim i rëndësishëm i rrugës së qëndrueshme të reformave dhe angazhimit të vendit në procesin e integrimit.
Raporti u miratua me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, duke reflektuar një mbështetje të gjerë nga eurodeputetët për ecurinë e Shqipërisë në negociatat me BE-në, si dhe për përpjekjet e deritanishme në përmbushjen e detyrimeve të procesit të zgjerimit.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi menjëherë pas votimit në një postim në rrjetin social X, duke e cilësuar këtë vendim si një vlerësim të qartë dhe të padiskutueshëm të progresit të Shqipërisë.
Sipas Hoxhës, rezoluta e miratuar nga AFET përforcon gjetjet e raportit të Komisionit Evropian dhe ofron një pasqyrë të balancuar mbi reformat e ndërmarra, ecurinë e negociatave dhe përafrimin e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Shqipëria vazhdon të vlerësohet si një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit, duke u mbështetur në konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e qytetarëve për integrimin evropian. Hapja e grup-kapitujve dhe vijimi i rregullt i negociatave, sipas tij, dëshmojnë ritmin e reformave dhe besueshmërinë e progresit të arritur.
Në reagimin e tij, Hoxha vuri në dukje gjithashtu se rezoluta e Parlamentit Evropian njeh ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke e konsideruar këtë një objektiv realist në kuadër të fazës aktuale të procesit të integrimit.
Në të njëjtën kohë, dokumenti evidenton edhe fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e reformave institucionale. Ministria i konsideron këto vlerësime si pjesë të dialogut të vazhdueshëm me institucionet evropiane dhe si udhërrëfyes për thellimin e reformave.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, si dhe rolit të vendit në stabilitetin rajonal dhe nismat e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Hoxha nënvizoi se Plani i Rritjes për rajonin pritet të përshpejtojë më tej konvergjencën ekonomike dhe integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ministri theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe synimit strategjik të anëtarësimit në BE, duke vijuar me ritëm të lartë për të sjellë rezultate konkrete për qytetarët.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu gjithashtu mirënjohje për raportuesin e Shqipërisë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, si dhe për eurodeputetët e AFET, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në procesin e integrimit evropian të vendit.







