Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur Partisë Demokratike pas akuzave lidhur me rastin e Albi Sulës, 30-vjeçarit me probleme shëndetësore, duke publikuar një foto nga takimi me të dhe nënën e tij.
PD deklaroi të mërkurën se nëna pensioniste e të riut ishte detyruar të kërkonte ndihmë para Ministrisë së Shëndetësisë dhe pretendoi se nuk ishte pritur. Opozita kërkoi që rasti i Sulës të trajtohej menjëherë dhe atij t’i ofrohej mbështetja e parashikuar për trajtim brenda ose jashtë vendit.
Spahiu e kundërshtoi këtë version, duke deklaruar se një ditë më parë kishte pritur personalisht në zyrë Albi Sulën dhe nënën e tij.
“Qytetari në foto është Albi Sula. Së bashku me nënën e tij, e prita dje personalisht në zyrën time”, shkroi ministrja, duke shtuar se kishte dëgjuar problematikën e tij shëndetësore dhe rrugëtimin e deritanishëm të trajtimit.
Sipas Spahiut, gjatë takimit janë sqaruar hapat që do të ndiqen nga strukturat shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ministrja tha gjithashtu se Sula është trajtuar dhe ndjekur nga mjekët e Spitalit Onkologjik në QSUT dhe se, në zbatim të procedurave administrative dhe kontratës me spitalin përkatës, rasti është referuar për ndjekje të mëtejshme në Turqi.
Spahiu reagoi edhe ndaj përdorimit politik të rastit, duke theksuar se kritikat ndaj institucioneve janë legjitime, por problemet shëndetësore të qytetarëve nuk duhet të shndërrohen në instrument të debatit politik.
“Të bësh politikë është legjitime. Të kritikosh është e drejtë. Por një problem shëndetësor nuk duhet të kthehet në mjet për të ndërtuar një akuzë që nuk përputhet me faktet”, deklaroi ajo.
Ministrja shtoi se për të, përpara çdo debati politik, qëndron qytetari dhe problemi i tij, ndërsa siguroi se dyert e Ministrisë së Shëndetësisë do të mbeten të hapura për të dëgjuar dhe orientuar qytetarët që kërkojnë ndihmë.


