Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE–Shqipëri, Marco Tarquinio, ka vlerësuar rëndësinë e rolit të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se ky rol forcohet përmes dëgjimit të zërit të qytetarëve.
Në një pronocim ekskluziv për Eunews.al pas përfundimit të sesionit të 22-të të Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, Tarquinio u shpreh se takimi pati një ecuri pozitive, edhe pse jo plotësisht të kënaqshme.
“Sesioni i 22-të i Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë pati një ecuri që, mund të them, nuk më kënaqi plotësisht, por gjithsesi ishte një ecuri dukshëm pozitive”, deklaroi ai.
Sipas Tarquinios, diskutimet u zhvilluan në një klimë konstruktive dhe me një nivel debati në përputhje me rëndësinë e çështjeve të trajtuara, një qasje që sipas tij nuk ka karakterizuar gjithmonë takimet e mëparshme.
Ai shprehu mirënjohjen për kolegët shqiptarë dhe për angazhimin e tyre në trajtimin e temave kyçe të negociatave me BE-në, duke veçuar rolin që parlamentet mund të luajnë në mbështetje të procesit të integrimit europian.
Tarquinio nënvizoi se një element thelbësor i këtij procesi mbetet dëgjimi i zërit të shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër, ai vlerësoi edhe Forumin e Qytetarëve të organizuar me iniciativën e Parlamentit Europian, i cili u zhvillua në prag të sesionit të KPSA-së.
“Shoqëria shqiptare ishte protagoniste edhe në prag të takimit tonë, përmes Forumit të Qytetarëve të propozuar nga Parlamenti Europian, një aktivitet me pjesëmarrje të gjerë dhe shumë i vlefshëm”, tha Tarquinio.


