Senatori amerikan Bernie Sanders do të organizojë javën e ardhshme një takim privat me senatorët dhe disa prej ekspertëve më të njohur të inteligjencës artificiale.
Takimi është planifikuar për më 16 shtator dhe zhvillohet në një kohë kur në SHBA po shtohen shqetësimet për aftësitë në rritje të inteligjencës artificiale dhe rreziqet që mund të sjellë zhvillimi i saj pa kontroll.
Në një letër drejtuar kolegëve, Sanders theksoi se Kongresi duhet të zhvillojë diskutime serioze mbi këtë çështje. Sipas tij, takimi synon të trajtojë incidentet e fundit që lidhen me sistemet e avancuara të AI-së, por edhe rreziqet e mundshme për njerëzimin.
Në takim pritet të marrë pjesë Geoffrey Hinton, i njohur gjerësisht si “kumbar i inteligjencës artificiale”. Krahas tij do të jenë profesori i MIT-it dhe bashkëthemeluesi i Institutit Future of Life, Max Tegmark, si dhe studiuesja e pavarur Ajeya Cotra.
Cotra ishte pjesë e hetimit lidhur me një sulm autonom të kryer së fundmi nga agjentë të OpenAI ndaj platformës teknologjike Hugging Face.
Sanders është shndërruar në një prej zërave më kritikë në politikën amerikane ndaj zhvillimit të pakontrolluar të AI-së. Javën e kaluar ai kërkoi pezullimin e përkohshëm të avancimit të kësaj teknologjie, derisa të krijohet një sistem i plotë kontrolli dhe vlerësimi.
Senatori ka propozuar gjithashtu ndalimin e zhvillimit të të ashtuquajturës “superinteligjencë”, një formë e inteligjencës artificiale që mund të tejkalojë aftësitë njohëse të njeriut.


