Kosova rrezikon vakum kushtetues pas 4 tetorit, ekspertët: Haxhiu nuk mund ta zgjasë mandatin si ushtruese e detyrës së Presidentit

10 Sep 2026 10:32
Shpërndaje:

Kosova mund të përballet me një situatë të pasigurt kushtetuese nëse deri më 4 tetor nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, ndërsa ekspertë ligjorë paralajmërojnë se Albulena Haxhiu nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë këtë detyrë përtej afatit gjashtëmujor të përcaktuar nga Kushtetuta.

Haxhiu, e cila ushtron detyrën e Presidentit që prej 4 prillit, kur përfundoi mandati i Vjosa Osmanit, u rizgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës më 9 shtator. Brenda Lëvizjes Vetëvendosje është hedhur më herët ideja se zgjedhja e një kryetari të ri të Kuvendit mund të hapë një periudhë të re gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së Presidentit.

Edhe Presidenca kishte deklaruar se kryetarja e re e Kuvendit do të vazhdonte ta ushtronte detyrën e Presidentit deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Reklamë Ola

Por disa ekspertë ligjorë të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë e kundërshtojnë këtë interpretim.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se mandati i Haxhiut si ushtruese e detyrës së Presidentit përfundon më 4 tetor dhe se vazhdimi përtej këtij afati do të binte ndesh me Kushtetutën.

Reklamë InterMedika

“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se është në kundërshtim me nenin 90, paragrafin 3, të Kushtetutës së Kosovës”, tha Bugaqku.

Sipas tij, çdo vendim apo dekret që Haxhiu mund të nxirrte pas 4 tetorit do të mund të kontestohej për kushtetutshmërinë dhe të rrëzohej më pas nga gjykatat.

Bugaqku tha se deputetët duhet ta konsiderojnë afatin e mbetur deri më 4 tetor si alarm për arritjen e një marrëveshjeje politike për Presidentin.

Të njëjtin interpretim ka edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj. Ai argumenton se kufiri gjashtëmujor i Kushtetutës lidhet me vetë ushtrimin e postit të Presidentit dhe jo me personin që e mban përkohësisht atë.

Për këtë arsye, sipas Miftarajt, ndryshimi i personit apo rizgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk mund ta rikthejë afatin gjashtëmujor në pikën zero.

“Një interpretim i tillë do të mundësonte që, përmes ndryshimit të personit, gjendja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të vazhdonte përtej kufirit prej gjashtë muajsh të përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë”, theksoi ai.

Ekspertët paralajmërojnë se moszgjedhja e Presidentit deri më 4 tetor mund ta fusë Kosovën në një situatë kushtetuese pa precedent.

Bugaqku e cilësoi tejkalimin e afatit si një precedent të rrezikshëm, që sipas tij mund të cenojë edhe sigurinë kombëtare dhe funksionimin normal të sistemit parlamentar.

Një qëndrim të ngjashëm kishte shprehur më herët edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili e konsideron periudhën gjashtëmujore një afat absolut që nuk mund të rifillojë përmes ndryshimit të kryetarit të Kuvendit.

Sipas tij, moszgjedhja e Presidentit deri më 4 tetor do të ishte një nga skenarët më seriozë kushtetues me të cilët është përballur Kosova dhe do të kërkonte ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së Presidentit pas kësaj date do të ishte pa bazë kushtetuese.

Ndryshe mendon deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi. Ai ka argumentuar se pozita e ushtruesit të detyrës së Presidentit lidhet me mandatin e kryetarit të Kuvendit dhe se, me zgjedhjen e një drejtuesi të ri të Parlamentit, afati gjashtëmujor duhet të nisë nga e para.

Sipas Rrustemit, Kushtetuta synon të garantojë vazhdimësinë institucionale dhe Kosova nuk mund të mbetet në asnjë rrethanë pa President ose pa një ushtrues të kësaj detyre.

“Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, kriza për zgjedhjen e Presidentit mbetet e lidhur ngushtë me përplasjet politike në Kuvend. Një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e diplomatit dhe juristit Bekim Sejdiu nuk duket se ka siguruar ende mbështetjen e nevojshme, pasi disa deputetë të LDK-së janë shprehur publikisht kundër tij.

Për të nisur një votim të vlefshëm për Presidentin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende. Vetëvendosje ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18, çka e bën të domosdoshëm një nivel më të gjerë bashkëpunimi parlamentar për zgjidhjen e ngërçit.