Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me kritika të forta politike pas një raporti që pretendon se Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, e kishte paralajmëruar rreth dhjetë ditë para sulmit të 7 tetorit 2023 se Hamasi po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit.
Netanyahu i ka mohuar kategorikisht pretendimet dhe ka njoftuar se ka udhëzuar avokatët e tij të ndërmarrin veprime ligjore kundër gazetës Haaretz dhe gazetarit Shlomi Eldar.
Zyra e Kryeministrit e kishte cilësuar raportin një “gënjeshtër absolute”, ndërsa Netanyahu përsëriti në një postim në X se nuk kishte pasur asnjë komunikim telefonik mes tij dhe Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe nga fillimi i shtatorit 2023 deri në sulmin e Hamasit më 7 tetor.
Sipas tij, një telefonatë e tillë do të kishte lënë gjurmë të qarta në arkivat zyrtare, por ekipi i Zyrës së Kryeministrit nuk ka identifikuar asnjë të dhënë që ta dëshmojë atë.
“Ky është një sulm i fshehtë shpifës me qëllim të qartë politik, pjesë e fushatës zgjedhore të së majtës, dhe shpifje të tjera të rreme të tilla do të pasojnë”, deklaroi Netanyahu.
Kryeministri përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se, nëse drejtuesit e shërbimeve izraelite të sigurisë do ta kishin informuar për shenjat e një sulmi të afërt të Hamasit disa orë përpara nisjes së tij, “masakra e tmerrshme mund të ishte parandaluar”.
Por raporti ka shkaktuar reagime të forta nga kundërshtarët e tij politikë, veçanërisht në një moment kur zgjedhjet në Izrael janë më pak se dy muaj larg.
Katër drejtues të partive opozitare, Gadi Eisenkot, Naftali Bennett, Avigdor Lieberman dhe Yair Golan, publikuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar një “hetim të menjëhershëm dhe të plotë” mbi atë që ata i cilësuan si “dështimet dhe mosfunksionimet” e Netanyahut.
“Publiku izraelit ka të drejtë të dijë: Çfarë dinte Netanyahu, kur e dinte, pse nuk e informoi aparatin e sigurisë dhe pse nuk veproi për të mbrojtur qytetarët izraelitë?”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ish-kryeministri Naftali Bennett shkoi më tej, duke pretenduar se raporti është “i vërtetë” dhe duke e cilësuar mosveprimin e pretenduar të Netanyahut si “neglizhencë kriminale”.
Edhe ish-kryeministri Yair Lapid deklaroi se përpara sulmit kishte pasur paralajmërime publike dhe sinjale nga zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite dhe nga zyrtarë egjiptianë.
“Nëse Netanyahu do ta kishte luajtur rolin e tij, masakra do të ishte parandaluar”, deklaroi Lapid.
Pretendimet që kanë shkaktuar debatin burojnë nga një artikull i Haaretz, i bazuar në informacionin e një libri të ardhshëm të gazetarëve izraelitë Shlomi Eldar dhe Ruth Yuval.
Sipas raportit, Mohammed bin Zayed e telefonoi Netanyahun rreth dhjetë ditë përpara 7 tetorit dhe zhvilloi me të një bisedë rreth 45-minutëshe. Gjatë saj, pretendohet se Presidenti i Emirateve e paralajmëroi se udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit që mund të shkaktonte gjakderdhje dhe destabilizim në rajon.
Haaretz raporton gjithashtu se Sinwar kishte përcjellë në mesin e shtatorit 2023, përmes një ndërmjetësi palestinez, një mesazh për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin ku paralajmëronte për një “tërmet” të afërt.
Sipas gazetës, Netanyahu e kishte pritur informacionin “relativisht me qetësi” dhe e kishte siguruar Bin Zayed se Izraeli ishte i përgatitur për çdo skenar.
Pretendimet mbeten të kundërshtuara fuqishëm nga Netanyahu, por publikimi i tyre ka rikthyer në qendër të debatit politik pyetjet mbi informacionet që autoritetet izraelite kishin përpara sulmit të 7 tetorit dhe përgjegjësinë për dështimin në parandalimin e tij.


