×
Sunday, June 21, 2026

Ministri Salla nga Vlora: Asnjë kompromis me sigurinë ushqimore gjatë sezonit turistik

June 21, 2026


Në Vlorë u zhvillua një takim në kuadër të planit “Siguria Ushqimore 2026”, me pjesëmarrjen e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, drejtuesve të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të bizneseve që operojnë në sektorin e hotelerisë dhe shërbimeve ushqimore.

Takimi u përqendrua te masat për garantimin e sigurisë ushqimore gjatë sezonit turistik veror, forcimi i kontrolleve në terren dhe procesi i kategorizimit të operatorëve sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se Shqipëria po hyn në një sezon turistik që pritet të jetë ndër më të suksesshmit, duke e bërë edhe më të rëndësishme respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

“Çdo produkt që vendoset në treg, çdo restorant që shërben klientë dhe çdo operator që ushtron aktivitet në zinxhirin ushqimor duhet të respektojë standardet që mbrojnë shëndetin publik”, u shpreh ai.

Ministri vlerësoi punën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe kërkoi angazhim maksimal gjatë sezonit veror, duke nënvizuar se kontrolli në terren duhet të jetë i vazhdueshëm, profesional dhe i paanshëm.

“Nuk mund të ketë asnjë kompromis kur bëhet fjalë për sigurinë e konsumatorit”, deklaroi Salla.

Ai theksoi gjithashtu se qasja e institucioneve nuk synon vetëm kontrollin dhe ndëshkimin, por krijimin e një kulture standardesh ku biznesi e konsideron respektimin e rregullave si investim në cilësi, reputacion dhe zhvillim afatgjatë.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua procesit të kategorizimit të operatorëve ushqimorë sipas standardeve të Bashkimit Europian. Sipas ministrit, kjo reformë synon të krijojë një pasqyrë të qartë të nivelit të përputhshmërisë së operatorëve me standardet europiane dhe të orientojë investimet drejt përmirësimit të tyre.

Duke e lidhur procesin me integrimin europian të Shqipërisë, Salla theksoi se siguria ushqimore mbetet një nga treguesit kryesorë të aftësisë së vendit për të ndërtuar institucione të besueshme dhe një ekonomi konkurruese.

Në përfundim, ministri garantoi se qeveria do të vijojë të mbështesë bizneset përmes politikave publike, instrumenteve financiare dhe fondeve të Bashkimit Europian, me qëllim rritjen e standardeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit agroushqimor shqiptar.




Comments are closed.