×
Monday, June 22, 2026

Lamallari mesazh protestuesve nga Kosova e Maqedonia e Veriut: Mos harroni kush kërkoi i pari pavarësinë e Kosovës në Beograd

June 21, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, reagoi lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari ironizoi ata që, sipas tij, u paraqitën si “diasporë në shpëtim të vendit”, duke mbërritur me automjete me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të shoqëruar me simbole patriotike.

“Me targa të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën”, shkroi ministri.

Lamallari theksoi se termat “diasporë” dhe “mërgatë” nuk mund të përdoren për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut, duke kujtuar se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë faktor shtetformues. Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit”, u shpreh ai.

Ministri shtoi se patriotizmi nuk duhet të kthehet në përçarje mes shqiptarëve, duke vlerësuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë kombëtare.

“Shumë mirë që valëvisni flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vëllai-vëllain”, theksoi Lamallari.

Në fund të reagimit të tij, ai nënvizoi se qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri, ndërsa kujtoi bashkëpunimin institucional ndër vite për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që, pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës kemi kontribuar për më shumë siguri, rend dhe stabilitet për qytetarët e vendeve tona dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, përfundoi ministri.




Comments are closed.