Shkurtimi i fondeve të Bashkimit Europian për ndihmën e jashtme rrezikon të rëndojë krizat humanitare dhe të dobësojë ndikimin e Europës në arenën ndërkombëtare. Paralajmërimi vjen nga Carl Skau, drejtuesi në detyrë i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, WFP.
Sipas POLITICO-s, propozimi më i fundit i kompromisit nga presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së parashikon uljen me 38 miliardë euro të instrumentit “Global Europe”, që financon zhvillimin dhe ndihmën e jashtme. Fondi do të reduktohej me rreth 17 për qind, në 177 miliardë euro, në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar.
Skau tha se Komisioni Europian ka mbetur një donator i qëndrueshëm në një kohë kur të tjerët kanë ulur kontributet. Sipas tij, kjo i ka siguruar BE-së besim dhe peshë në sistemin ndërkombëtar, të cilat tani rrezikon t’i humbasë.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të mbrojnë një buxhet ambicioz për ndihmën, duke argumentuar se shumat për qëllime humanitare janë të vogla krahasuar me miliardat që po investohen në mbrojtje.
Financimi bie, nevojat rriten
Sipas të dhënave të organizatës, financimi global i WFP-së ka rënë me 40 për qind gjatë dy viteve të fundit. Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh, përgjysmuan kontributet në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë. Edhe Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë reduktuar fondet.
Ndërkohë, parashikimet e WFP-së tregojnë se deri në 363 milionë njerëz mund të përballen me pasiguri akute ushqimore këtë vit, afro 90 për qind më shumë se në vitin 2021.
Skau paralajmëroi se mungesa e fondeve po detyron organizatën të ndërpresë mbështetjen për gra dhe fëmijë në vende si Sudani i Jugut, Afganistani dhe Somalia, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Ai e përshkroi situatën si përballje me “zgjedhje të pamundura”, ku organizata detyrohet të vendosë se cilët njerëz të prekur nga uria do të ndihmojë.
Luftërat, moti ekstrem, kërcënimi nga fenomeni El Niño dhe ndërprerjet e rrugëve tregtare po i përkeqësojnë më tej krizat ushqimore.
I pyetur për lidhjen mes uljes së ndihmave dhe migracionit drejt Europës, Skau pranoi se ekziston një lidhje e qartë, por theksoi se shpëtimi i jetëve mbetet arsyeja kryesore për sigurimin e fondeve.


