Rama rikthen karriget për dialog: Kush shkatërron, do të paguajë

21 Oct 2026 • 08:47
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karrige me ftesa për dialog përpara Kryeministrisë, një ditë pasi protestuesit grisën letrat dhe përmbysën karriget e vendosura në të njëjtin vend.

Në mesazhin e tij, Rama pranoi se qytetarët kanë pakënaqësi dhe arsye për të protestuar, por theksoi se asnjëra prej tyre nuk justifikon dhunën.

“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Kreu i qeverisë tha se ftesa për bisedime mbetet e hapur, pavarësisht refuzimit të një dite më parë.

“Dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri”, u shpreh Rama.

Reklamë InterMedika

Ai paralajmëroi gjithashtu pasoja ligjore dhe financiare për personat që përfshihen në shkatërrimin e pronës.

“Çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigjja do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush shkatërron, do të paguajë”, tha kryeministri.

Rama e përmbylli mesazhin duke theksuar se dialogu duhet t’i shërbejë synimit të përbashkët për ta bërë vendin më të mirë: “Shqipëria është e të gjithëve”.