Europa shqetësohet për Trump: Presion mbi Zelenskyn, afrim me Putinin

21 Oct 2026 • 08:56
Shpërndaje:

Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për luftën në Ukrainë kanë shtuar shqetësimin mes aleatëve europianë se Uashingtoni po ushtron më shumë presion ndaj Kievit sesa ndaj Moskës.

“Rusia, sinqerisht, ka qenë në rregull për Ukrainën. Nuk ka bërë edhe aq shumë”, deklaroi Trump këtë javë, ndërsa qytetet ukrainase po përballen me bombardime të intensifikuara.

Sipas një analize të POLITICO-s, zyrtarë dhe diplomatë europianë e shohin qëndrimin e presidentit amerikan si një pengesë për përpjekjet për paqe. Disa prej tyre vlerësojnë se në këtë qasje ndikojnë edhe marrëdhëniet e tij personale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Reklamë Ola

Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, deklaroi të martën në Parlamentin Europian se negociatorët amerikanë kanë ushtruar presion ndaj Ukrainës për të pranuar dorëzimin.

“Arsyeja pse Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putinit është mbështetja që ka dhënë Europa”, u shpreh ajo.

Reklamë InterMedika

Marrëdhënia personale në qendër të debatit

Ish-ministri britanik David Lidington, aktualisht studiues në institutin RUSI, argumentoi se preferencat personale të Trump për udhëheqës autoritarë dhe interesat për bizneset amerikane luajnë rol në qëndrimet e tij.

Një zyrtar qeveritar europian, i cituar në kushte anonimiteti, tha se antipatia e Trump ndaj Zelenskyt e vështirëson sigurimin e mbështetjes amerikane për një marrëveshje paqeje.

Këto mbeten vlerësime të bashkëbiseduesve të POLITICO-s. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së medias për koment.

Në ditët e fundit, Trump ka akuzuar Zelenskyn se nuk dëshiron përfundimin e luftës dhe ka sugjeruar zëvendësimin e tij si udhëheqës ose negociator i Ukrainës. Ndërkohë, ai ka deklaruar se Putin kërkon një marrëveshje.

Diplomatë europianë të cituar në artikull e kundërshtojnë këtë vlerësim, duke thënë se nuk shohin gatishmëri reale të presidentit rus për armëpushim.

Kievi ngre shqetësime për mbështetjen amerikane

Zelensky u tha ligjvënësve amerikanë të hënën se kufizimet në mbështetjen e SHBA-së, përfshirë shërbimet Starlink dhe Starshield, po ndikojnë në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur dhe për të planifikuar operacionet.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e paralajmërimeve të zakonshme mbi sulmet raketore ruse dhe për pakësimin e raketave përgjuese të sistemeve Patriot. Sipas POLITICO-s, Pentagoni nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi këto pretendime.

Ndërkohë, Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë raportoi 328 civilë të vrarë dhe mbi 2.000 të plagosur gjatë shtatorit, një rritje prej 85 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Bisedimet në Oslo hapin një mundësi të re

Pavarësisht tensioneve, i dërguari amerikan Steve Witkoff zhvilloi të martën bisedime në Oslo me Zelenskyn dhe udhëheqësit e Norvegjisë e Finlandës. Ai pritet të udhëtojë të mërkurën në Shën Petersburg për të diskutuar propozimet e paqes me palën ruse.

Një prej mundësive është organizimi i një takimi trepalësh mes Trump, Putin dhe Zelenskyt, megjithëse përpjekjet e mëparshme për një takim të tillë kanë dështuar.

Presidenti finlandez Alexander Stubb e vlerësoi pozitivisht takimin në Norvegji, duke thënë se gjatë javës së fundit është shënuar përparim në nivel teknik dhe përmbajtësor.

“Sot ishte një ditë e mirë për paqen”, deklaroi ai, ndërsa shprehu shpresën që procesi të mos pësojë hapa pas.