×
Friday, July 3, 2026

Von der Leyen: Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara në rrugën drejt BE-së

July 3, 2026


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se të dyja vendet po vazhdojnë të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj, Von der Leyen përshëndeti mbështetjen e fortë të Irlandës për procesin e zgjerimit, duke nënvizuar se ai duhet të mbetet i bazuar në meritë.

“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin edhe qëllimin për të përfunduar deri në fund të vitit negociatat e pranimit me Malin e Zi”, deklaroi ajo.

Presidentja e KE-së theksoi gjithashtu se Ukraina dhe Moldavia kanë hapur grupin e tyre të parë të kapitujve të negociatave, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së.

“Shqipëria dhe Mali i Zi vazhdojnë të përparojnë. Ne kemi çdo arsye t’i besojmë Irlandës në këtë proces. Në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u arrit gjatë një presidencë irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian”, u shpreh Von der Leyen.

Ajo solli edhe shembullin e Irlandës si dëshmi të përfitimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kur Irlanda iu bashkua Komunitetit Evropian në vitin 1973, PBB-ja për frymë ishte rreth gjysma e mesatares evropiane. Sot është afërsisht dyfishi. Atëherë po kapnit ritmin, sot po udhëhiqni rrugën. Vështirë se ka një argument më bindës për zgjerimin”, përfundoi presidentja e Komisionit Evropian.




Comments are closed.