×
Saturday, July 11, 2026

Italia shtyn zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria drejt mbylljes së kapitujve të rinj të negociatave

July 11, 2026


Italia po intensifikon përpjekjet diplomatike për ta mbajtur zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në krye të axhendës evropiane, duke e cilësuar procesin një prioritet strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

Në samitin e zhvilluar në Romë, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të Italisë, Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, u theksua se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm një objektiv politik, por një domosdoshmëri e diktuar nga zhvillimet e fundit gjeopolitike.

Sipas një analize të publikuar nga e përditshmja italiane Il Sole 24 Ore, Roma po ushtron presion që procesi i zgjerimit të mos bllokohet nga burokracitë apo tensionet politike, duke argumentuar se lufta në Ukrainë dhe sfidat e reja të sigurisë e bëjnë zgjerimin e BE-së më urgjent se kurrë.

Analiza vlerëson se Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet që kanë bërë përparimin më të madh në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova vijojnë të përballen me pengesa politike dhe institucionale që ngadalësojnë procesin e integrimit.

Ndërkohë, një zyrtare e Bashkimit Evropian bëri të ditur se më 14 korrik, në kuadër të mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, do të zhvillohen disa Konferenca Ndërqeveritare me vendet kandidate.

Sipas saj, presidenca irlandeze synon të organizojë konferenca me Ukrainën, Moldavinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Për Ukrainën dhe Moldavinë pritet hapja e një grupi të ri kapitujsh negociues, ndërsa për Shqipërinë dhe Malin e Zi objektivi është mbyllja e disa kapitujve të negociatave, duke shënuar një tjetër hap përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sa i përket Serbisë, zyrtarja sqaroi se në diskutimet e zhvilluara në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (Coreper) nuk u arrit konsensus për hapjen e tre kapitujve negociues. Për këtë arsye, aktualisht nuk është planifikuar një Konferencë Ndërqeveritare me Beogradin, ndërsa diskutimet pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme.




Comments are closed.