Partia Republikane mbylli të enjten konventën në Dallas, me thirrjen e presidentit Donald Trump për mobilizim në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit dhe një fjalim të zëvendëspresidentit JD Vance.
Gjatë aktivitetit, Trump udhëhoqi të pranishmit në një betim simbolik për të marrë pjesë në votime, pavarësisht nëse ishin “të regjistruar apo jo”.
Vëmendjen kryesore e mori Vance, fjalimi i të cilit u interpretua si një provë e hershme për ambiciet e tij të mundshme presidenciale në vitin 2028.
“Le të luftojmë për njerëzit tanë. Le t’i largojmë demokratët nga pushteti. Dhe le të mos harrojmë kurrë se Amerika u përket atyre që e duan, jo atyre që e urrejnë”, deklaroi zëvendëspresidenti.
Sipas Reuters, shumë republikanë e konsiderojnë Vance-in kandidatin kryesor për të çuar përpara lëvizjen “Make America Great Again” pas përfundimit të mandatit të Trumpit.
Disa mbështetës në sallë brohoritën “48, 48”, duke sugjeruar se Vance mund të bëhet presidenti i 48-të i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ai theksoi se prioriteti i menjëhershëm i republikanëve duhet të jetë fitorja në zgjedhjet e nëntorit.
Trump nuk ka sinjalizuar ende se cilin kandidat mund të mbështesë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Brenda Partisë Republikane përmenden kryesisht emrat e JD Vance dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.


