Presidenti Bajram Begaj zhvilloi vizitën e parë zyrtare të një kreu të shtetit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u prit nga Presidenti Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Takimi në Abu Dhabi rikonfirmoi angazhimin e dy vendeve për forcimin e partneritetit politik dhe ekonomik, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë bisedimeve, Begaj falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në periudha të vështira. Ai përmendi ndihmën gjatë luftës në Kosovë, pas tërmetit të vitit 2019 dhe pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë në vitin 2022.
Një nga temat kryesore të takimit ishte bashkëpunimi ekonomik. Presidenti shqiptar vlerësoi se hapja e Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Tiranë do t’u japë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe.
Begaj ftoi investitorët emiratas të zgjerojnë praninë e tyre në Shqipëri, veçanërisht në infrastrukturë, energji, inovacion, turizëm dhe sektorë të tjerë strategjikë.
Dy presidentët diskutuan gjithashtu për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Emirateve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Presidenti Begaj zhvilloi takime edhe me Princin e Kurorës, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe me Zëvendëspresidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan.


