Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përfaqësuar Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Punimet e Asamblesë pritet të zhvillohen nga 22 deri më 28 shtator, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota.
Këtë vit, Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Rama dhe jo nga presidenti Bajram Begaj. Sipas axhendës paraprake, kreu i qeverisë shqiptare pritet ta mbajë fjalimin e tij gjatë paradites së 25 shtatorit, me orën lokale të New Yorkut.
Gjatë punimeve të Asamblesë, udhëheqësit pjesëmarrës pritet të kenë mundësinë të realizojnë edhe fotografinë tradicionale me presidentin amerikan Donald Trump.
Ende nuk është bërë publike axhenda e plotë e takimeve dypalëshe që Rama mund të zhvillojë gjatë qëndrimit në SHBA.
Rama pranon ftesën për galanë shqiptare
Një ditë përpara fjalimit në OKB, më 24 shtator, kryeministri Rama pritet të marrë pjesë në Galanë e Komunitetit Shqiptar në New York.
Mbrëmja e dytë vjetore e galasë organizohet nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Në aktivitet janë ftuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe drejtues të tjerë politikë nga Ballkani Perëndimor.
Sipas burimeve, Rama e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në aktivitetin që synon të bashkojë figura politike, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë mbrëmje parashikohet që presidenti Donald Trump të nderohet me titullin “Knight of the Order of Scanderbeg”, që përkthehet “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Sipas organizatorëve, galaja synon të vlerësojë kontributin e diasporës shqiptare dhe të ndihmojë në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve.
Vizita e Ramës në New York do të ndërthurë kështu angazhimet diplomatike në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me takimet dhe aktivitetet e organizuara nga komuniteti shqiptaro-amerikan.


