Vetëvendosje siguron 50 ulëse në Kuvend, vijon numërimi i votave

13 Jun 2026 11:20
Shpërndaje:

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë edhe mandatin e 50-të në Kuvendin e Kosovës, ndërsa procesi i numërimit të votave vazhdon ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga KQZ-ja, deri tani janë numëruar 2,458 nga gjithsej 2,691 vendvotime, përfshirë edhe një pjesë të votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike.

Rezultatet paraprake tregojnë se Vetëvendosje ka kaluar shifrën e 300 mijë votave, duke marrë 43.65% të mbështetjes dhe duke siguruar 50 ulëse në Kuvend.

Reklamë Ola

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 23 mandate, një më pak krahasuar me rezultatet paraprake të publikuara më herët.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të ketë 19 ulëse, gjithashtu një mandat më pak se në rezultatet fillestare, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban tetë mandate.

Reklamë InterMedika

Procesi i numërimit po vijon edhe për votat nga diaspora. Në përfaqësitë diplomatike janë numëruar deri tani 33 nga 47 vendvotime.

Rezultatet përfundimtare pritet të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit dhe mundësitë për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.