Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka mbështetur vendosjen e një ndalimi në nivel evropian për tregtinë me kolonitë izraelite në territoret e pushtuara.
Në një intervistë për gazetën “The Irish Times”, Kallas deklaroi se një masë e tillë do të përbënte një qëndrim parimor nga ana e Bashkimit Evropian.
Ajo e krahasoi situatën në Bregun Perëndimor me reagimin e BE-së pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Kur Krimea u pushtua, ishte shumë e qartë: kjo është e paligjshme, ne nuk e njohim dhe ndalojmë tregtinë me produktet që vijnë nga Krimea. Duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim parimor. Nëse të gjithë bien dakord se pushtimi është i paligjshëm, atëherë duhet të ndalojmë tregtinë me territoret e pushtuara”, deklaroi Kallas.
Misioni i Izraelit pranë Bashkimit Evropian dhe NATO-s i cilësoi deklaratat e saj “thellësisht për të ardhur keq”.
Përfaqësia izraelite kundërshtoi krahasimin me Krimenë, duke pretenduar se qëndrimi i Kallas vendos në të njëjtën kategori Murin Perëndimor dhe Lagjen Hebraike në Jerusalem me territorin ukrainas të aneksuar nga Rusia.
Kallas ka mbështetur prej kohësh kërkesën e disa vendeve anëtare që Komisioni Evropian të propozojë ndalimin e tregtisë me territoret e pushtuara nga Izraeli.
Çështja ka shkaktuar ndarje ndërmjet kryeqyteteve evropiane dhe është kthyer në një pikë përplasjeje ndërmjet Kallas dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Deri tani, mbështetja e Kallas nuk e ka bindur Komisionin të paraqesë masa konkrete. Në korrik, vetëm një pakicë e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së kërkuan që propozimet t’u paraqiteshin shteteve anëtare për votim.
Holanda, Belgjika dhe Suedia janë mes vendeve që kanë kërkuar kufizime tregtare në të gjithë BE-në. Republika Çeke, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se do të kundërshtojë sanksionet e reja.
Miratimi i masave të tilla kërkon unanimitetin e vendeve anëtare, ndaj kundërshtimi i një shteti të vetëm mund ta bllokojë vendimin.
Debati u rikthye këtë javë, pasi tetë vende të BE-së, mes tyre Franca, Spanja dhe Irlanda, iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë në zotimin për vendosjen e sanksioneve tregtare ndaj kolonive izraelite.
“Të gjitha vendet anëtare të BE-së bien dakord se kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Kallas.
Sipas saj, zgjerimi i kolonive nga qeveria izraelite po dëmton mundësinë për krijimin e një shteti palestinez funksional dhe arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete.
Qëndrimet e Kallas kanë shkaktuar edhe më parë reagime të ashpra nga zyrtarët izraelitë. Në qershor, ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, paralajmëroi se do të ndërpriste çdo kontakt me të, pas raportimeve se diplomatja evropiane kishte krahasuar trajtimin e palestinezëve nga Izraeli me Afrikën e Jugut gjatë sistemit të aparteidit.


