BE kërkon rregulla globale për inteligjencën artificiale

11 Sep 2026 16:06
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për krijimin e rregullave globale për inteligjencën artificiale, pas paralajmërimeve të shtuara për rreziqet që mund të sjellin sistemet më të avancuara të kësaj teknologjie.

Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen, deklaroi se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm, pasi rregullat që zbatohen në BE nuk ekzistojnë në të njëjtën formë në pjesën tjetër të botës.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë bashkëpunimin ndërkombëtar, sepse mendoj se nevojiten vërtet rregulla globale”, tha Virkkunen gjatë një konference për sigurinë e fëmijëve në internet, të zhvilluar në Dublin.

Reklamë Ola

Deklarata vjen pas paralajmërimit të një ish-inxhinieri të kompanisë Anthropic, i cili ngriti shqetësimin se zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale mund të përbëjë rrezik serioz për njerëzimin.

Bashkimi Evropian ka miratuar legjislacion që u kërkon kompanive të inteligjencës artificiale, përfshirë Anthropic dhe OpenAI, të vlerësojnë dhe të reduktojnë rrezikun e humbjes së kontrollit mbi modelet e tyre më të avancuara.

Reklamë InterMedika

Virkkunen theksoi se detyrime të tilla nuk zbatohen në nivel global, duke krijuar dallime të mëdha mes vendeve në mënyrën se si mbikëqyret teknologjia.

BE-ja ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim ndërkombëtar për menaxhimin e rreziqeve të inteligjencës artificiale. Gjatë samitit të G7-s në Francë në qershor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku në këtë fushë.

Sipas saj, dy palët kanë aftësi plotësuese, interesa të përbashkëta sigurie dhe përgjegjësi për të udhëhequr zhvillimin global të inteligjencës artificiale.

Ministri gjerman për Çështjet Digjitale, Karsten Wildberger, ka propozuar krijimin e një institucioni ndërkombëtar për sigurinë e AI-së, të ngjashëm me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila mbikëqyr aktivitetet bërthamore.

Zyrtarët evropianë po presin gjithashtu të shohin nëse gara për inteligjencën artificiale do të diskutohet në takimin e parashikuar në fund të shtatorit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy fuqitë kryesore në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale dhe qëndrimet e tyre konsiderohen vendimtare për çdo marrëveshje të mundshme ndërkombëtare.

Ambasadori amerikan në BE, Andrew Puzder, deklaroi se do të mbështeste një partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e AI-së. Megjithatë, ai vendosi kufij për nivelin e rregullimit që Uashingtoni është i gatshëm të pranojë.

“Nuk do të lejojmë që platformat dhe kompanitë amerikane të rregullohen deri në atë pikë sa të mos mundim Kinën”, deklaroi Puzder gjatë një aktiviteti në Riga.

Ndërkohë, Komisioni Evropian po përballet me presion nga Parlamenti Evropian dhe qeveritë kombëtare për të intensifikuar përpjekjet për bashkëpunim global.

Eurodeputetja irlandeze Regina Doherty i ka kërkuar Komisionit të sqarojë nëse synon të propozojë një protokoll ndërkombëtar për reagimin ndaj incidenteve që përfshijnë sisteme shumë të avancuara të inteligjencës artificiale.

Ajo kërkoi gjithashtu që kjo çështje të përfshihet në agjendën e G7-s, G20-s dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.