Tymi nga zjarret në Kanada mbulon SHBA-në, Trump akuzon Otavën për neglizhencë
July 18, 2026
Tymi i dendur nga zjarret masive në Kanada dhe Minesotën veriore ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për ndotje të rrezikshme dhe t’u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, deri të shtunën ishin aktive 937 vatra zjarri, shumica e të cilave vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi për situatën përmes rrjetit social Truth Social, duke akuzuar Kanadanë se nuk po menaxhon siç duhet pyjet e saj.
“Kjo është neglizhencë e qëllimshme dhe po kthehet në një problem të përvitshëm që i kushton Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë”, shkroi Trump.
Ai shtoi se kostot që SHBA-ja përballon nga ndotja duhet të merren në konsideratë edhe në tarifat që vendosen ndaj Kanadasë. Trump njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë një bisedë me kryeministrin kanadez Mark Carney për të diskutuar masat që do të ndërmerren për përballimin e situatës.
Nga ana tjetër, ministrja kanadeze për Menaxhimin e Emergjencave deklaroi se Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër zjarreve dhe se komunikimi mes dy vendeve është i vazhdueshëm.
Ajo theksoi se qeveria kanadeze ka investuar rreth 12 miliardë dollarë që nga viti 2020 për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e zjarreve.
Pasojat e zjarreve janë ndjerë edhe në qytetet amerikane. Detroiti u rendit si qyteti me ajrin më të ndotur në botë, ndërsa edhe Uashingtoni dhe Çikago regjistruan nivele shumë të larta të ndotjes atmosferike.
Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme jashtë, veçanërisht personave me probleme të frymëmarrjes, të moshuarve dhe fëmijëve.
Situata ka ngritur shqetësime edhe për finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në New Jersey, pasi tymi mund të ndikojë në cilësinë e ajrit gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Ekspertët paralajmërojnë se grimcat e imëta të tymit nga zjarret paraqesin rrezik serioz për shëndetin, pasi mund të depërtojnë thellë në mushkëri. Përveç mbetjeve të drurit dhe bimësisë, tymi mund të përmbajë edhe grimca plastike, metali dhe materiale të tjera të djegura, duke u bërë edhe më toksik ndërsa përhapet në atmosferë.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po zgjasin sezonin e zjarreve, pasi temperaturat më të larta dhe thatësirat krijojnë kushte që favorizojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë më të vështirë shuarjen e tyre.
Ndërkohë, zjarret vijojnë të përhapen në disa provinca të Kanadasë dhe në zonat pyjore pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta dhe moti i paqëndrueshëm po e komplikojnë më tej operacionin për vënien e tyre nën kontroll.