×
Monday, July 20, 2026

Irani: SHBA sulmoi centralin bërthamor të Darkhovinit, Teherani e quan akt agresioni

July 19, 2026


Organizata e Energjisë Atomike e Iranit njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm me raketa ndaj centralit bërthamor të Darkhovinit, i cili është ende në ndërtim në jugperëndim të vendit. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian. 

Sipas autoriteteve iraniane, forcat amerikane goditën objektin bërthamor me një numër raketash, ndërsa sulmi u cilësua si një “akt agresiv dhe terrorist” në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. 

“Forcat amerikane, në një akt agresiv dhe mizor në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, sulmuan sot centralin bërthamor Darkhovin, i cili është në ndërtim e sipër, me një numër të caktuar raketash”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit. 

Pretendimi vjen në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta. Ditët e fundit, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar vazhdimin e operacioneve ushtarake kundër objektivave iraniane, duke deklaruar se sulmet synojnë infrastrukturë ushtarake, depo armësh dhe kapacitete të mbikëqyrjes. 

Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë komentuar publikisht pretendimin e Iranit për sulmin ndaj centralit bërthamor të Darkhovinit. 




Comments are closed.