Turqia kundërshton raportin e BE-së për marrëveshjen detare me Libinë

04 Nov 2026 • 20:52
Shpërndaje:

Turqia ka kundërshtuar vlerësimet e Komisionit Europian për Mesdheun Lindor dhe memorandumin detar të vitit 2019 me Libinë, duke akuzuar Brukselin për standarde të dyfishta dhe qëndrim të njëanshëm.

Sipas gazetës greke Kathimerini, autoritetet turke pretendojnë se Komisioni ka përvetësuar argumentet e Greqisë dhe Qipros për kufijtë detarë, duke mbështetur qëndrime që Ankaraja i cilëson “maksimaliste dhe të paligjshme”.

Reagimi pason publikimin e vlerësimeve të fundit të Komisionit Europian, ku trajtohen mosmarrëveshjet detare në rajon dhe marrëveshja turko-libiane.

Reklamë Ola

Memorandumi i nënshkruar në vitin 2019 përcakton kufijtë e zonave detare mes Turqisë dhe Libisë. Ai kundërshtohet nga Greqia dhe Qiproja, të cilat argumentojnë se cenon të drejtat e tyre dhe bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detit.

Ankaraja, nga ana tjetër, kundërshton atë që e konsideron favorizim të pozicioneve greke dhe qipriote nga institucionet europiane.

Reklamë InterMedika

Mosmarrëveshjet për kufijtë detarë dhe zonat ekskluzive ekonomike mbeten burim tensioni mes Turqisë, Greqisë dhe Qipros. Memorandumi me Libinë vijon të jetë një nga pikat kryesore të përplasjes për ndarjen e hapësirave detare në Mesdheun Lindor.