Planet e Komisionit Europian për zgjerimin e mandatit të agjencisë kufitare Frontex kanë nxitur shqetësime në Parlamentin Europian për mbrojtjen e të drejtave themelore. Eurodeputetë të qendrës dhe të majtë kërkuan garanci dhe mbikëqyrje më të fortë, veçanërisht për operacionet e kthimit që mund të zhvillohen jashtë territorit të BE-së.
Komisioneri për Migracionin, Magnus Brunner, i paraqiti të mërkurën planet përpara Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian.
Sipas propozimit, Frontex do të marrë një rol më të gjerë në organizimin e kthimeve, nga planifikimi strategjik dhe bashkimi i burimeve për uljen e kostove, deri te mbështetja për riintegrimin. Agjencia do të mund të ndihmojë edhe vende jashtë BE-së për largimin e personave nga territori i tyre.
Brunner sqaroi se vendimet për kthimin do të mbeten përgjegjësi e autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare. Frontex, ndërkohë, do të ofrojë mbështetje gjatë të gjithë procesit, “nga fillimi në fund, nga A-ja te Z-ja”.
Komisioneri konfirmoi gjithashtu se plani do t’i mundësonte agjencisë të ndihmonte në transferimin e personave nga vendet e BE-së drejt qendrave të kthimit jashtë Unionit dhe, më pas, nga këto qendra drejt vendeve të treta.
Kjo mundësi u kundërshtua nga eurodeputetja holandeze e të Gjelbërve, Tineke Strik, e cila ngriti pikëpyetje mbi zbatimin e standardeve europiane në vende me kuadër tjetër ligjor.
“Si do të garantojmë që Frontex do të respektojë ligjin e BE-së, ndërkohë që duhet t’u bindet ligjeve të vendeve të treta, ku ekziston një kuadër ligjor krejtësisht i ndryshëm?”, pyeti ajo.
Strik paralajmëroi se ky model mund të rrisë rrezikun e shkeljeve të të drejtave themelore.
Edhe eurodeputetja franceze e Socialistëve dhe Demokratëve, Murielle Laurent, kërkoi sqarime për kufijtë e zhvendosjes së politikës së migracionit jashtë BE-së dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ajo theksoi se një agjenci europiane me kompetenca më të mëdha duhet t’i nënshtrohet edhe një mbikëqyrjeje më të kujdesshme.
Në përgjigje, Brunner deklaroi se Frontex ka tashmë detyrime të qarta për respektimin e të drejtave themelore dhe se këto detyrime do të mbeten në fuqi edhe me mandatin e zgjeruar.
Sipas tij, agjencia do të mund të ndihmojë vendet jashtë BE-së në operacionet e kthimit vetëm mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare që përcakton garancitë për të drejtat themelore. Çdo marrëveshje e tillë, shtoi komisioneri, do të kërkojë miratimin e Parlamentit Europian.


