Shiroka Pula merr raportin e BE-së, drejtësia dhe korrupsioni mbeten sfida

04 Nov 2026 • 19:45
Shpërndaje:

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti të mërkurën ambasadorin e Bashkimit Europian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2026. Në takim, ajo riafirmoi angazhimin për reformat dhe e cilësoi anëtarësimin në BE një synim strategjik të vendit.

Shiroka Pula theksoi se Kosova është vend proeuropian dhe se institucionet mbeten të përkushtuara ndaj forcimit të sundimit të ligjit, funksionimit demokratik dhe përmbushjes së standardeve europiane.

Ajo vlerësoi mbështetjen e Bashkimit Europian dhe rëndësinë e partneritetit me të për avancimin e agjendës së integrimit.

Reklamë Ola

Nga ana e tij, ambasadori Schuebel e përgëzoi presidenten për qasjen konstruktive dhe përpjekjet për të nxitur bashkëpunimin dhe unitetin në skenën politike të Kosovës.

Dorëzimi i raportit vjen ndërsa Komisioni Europian evidenton ngecje në disa prej reformave kryesore. Sipas vlerësimit për vitin 2026, gjyqësori nuk ka shënuar përparim, rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbeten të kufizuara dhe krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Reklamë InterMedika

Raporti paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë vijojnë të pengojnë pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, janë intensifikuar.

Komisioni evidenton gjithashtu rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë.

Megjithatë, raporti njeh përparim në administratën publike dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale. Vlerësim pozitiv merr edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, i cili mundësoi heqjen e masave të BE-së ndaj vendit.