Katër kandidatë me origjinë shqiptare morën pjesë në zgjedhjet e mesmandatit të së martës në Shtetet e Bashkuara, por sipas rezultateve jozyrtare të raportuara deri të mërkurën në mëngjes, vetëm Joe Hoxha rezultonte në avantazh. Tre kandidatët e tjerë, Diamant Hysenaj, Shpëtim Qorraj dhe Peter Lumaj, humbën garat përkatëse.
Hoxha, përfaqësues republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it, kryeson garën për distriktin 78 me një diferencë prej rreth 1,8 pikësh përqindjeje.
Sipas të dhënave të Decision Desk HQ, të cituara nga mediat në Shkup, janë numëruar më shumë se 95% e votave. Megjithatë, gara ende nuk është shpallur dhe rezultati mbetet i pakonfirmuar përfundimisht.
Në Nju Jork, republikani Diamant Hysenaj humbi përballë demokrates Alexandria Ocasio-Cortez në garën për distriktin e 14-të të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Ocasio-Cortez siguroi rreth 78% të votave, ndërsa Hysenaj afërsisht 21,5%.
Po në Nju Jork, demokrati Shpëtim Qorraj nuk arriti të siguronte një mandat në Asamblenë e shtetit. Ai u përball me republikanin në detyrë Michael Tannousis, i cili fitoi me rreth 60% të votave.
Në Connecticut, republikani Peter Lumaj humbi garën për postin e sekretarit të shtetit. Sipas Decision Desk HQ, fituese u shpall demokratja Stephanie Thomas, e cila mban aktualisht këtë detyrë.
Me mbi 80% të votave të numëruara, Thomas kryesonte me një diferencë prej rreth 24 pikësh përqindjeje ndaj Lumajt.
Garat u zhvilluan në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat demokratët rimorën kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.


