Kryeministrja britanike, Liz Truss ka këmbëngulur se masat e qeverisë për uljen e taksave janë plani i duhur përballë rritjes së kostove të energjisë, dhe për të nxitur rritjen ekonomike pavarësisht çrregullimeve të tregut.
Truss mbështeti minibuxhetin, si pjesë e masave të ndërmarra nga kancelari Kwasi Kwarteng, ndërsa këmbënguli se nevojiteshin veprime urgjente.
“Duhet të ndërmerren veprime urgjente për të rritur ekonominë e Britanisë se Madhe dhe gjithashtu për t’u përballur me inflacionin”, tha Truss për BBC.
“Sigurisht që kjo do të thotë të marrim vendime të diskutueshme dhe të vështira, por unë jam e përgatitur ta bëj këtë si kryeministre e vendit, sepse kjo është e rëndësishme për ekonominë tonë”, tha ajo.
Truss tha se minibuxheti ishte plani i duhur, pavarësisht nga thirrjet në rritje, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), për një kthesë të kundërt në disa prej politikave të shpallura të premten e kaluar, pas rënies së paundit në një nivel rekord kundrejt dollarit amerikan të hënën.
Banka e Anglisë nisi dje një program emergjent të blerjes së bonove qeveritare për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të kostove të huamarrjes dhe për të shmangur një rrezik material për stabilitetin financiar të Britanisë së Madhe.
Banka njoftoi se po ndërhynte për të blerë deri në 65 miliardë euro (70 miliardë dollarë) obligacione qeveritare, të njohura si gilts, me një ritëm urgjent, pasi politikat ekonomike të qeverisë shkaktuan rënien e paundit dhe një shitje në tregun e obligacioneve shtetërore, i cili kërcënoi të nxiste kolapsin e disa fondeve të pensioneve në Britaninë e Madhe.


