Kallas kundër rikthimit të Putinit në G20: Normalizon krimet e luftës

31 Oct 2026 • 19:08
Shpërndaje:

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se pjesëmarrja e mundshme e Vladimir Putinit në samitin e G20-s në Florida, në dhjetor, rrezikon të normalizojë krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në një intervistë për Bloomberg TV të shtunën, ajo tha se rikthimi i Moskës në këto forume bie ndesh me parimet e Kartës së OKB-së, të cilat vendet pjesëmarrëse janë zotuar t’i respektojnë.

Putin ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Ai nuk ka marrë pjesë fizikisht në një samit të G20-s që nga viti 2019.

Reklamë Ola

Deklaratat e Kallas vijnë pas kundërshtimeve evropiane ndaj pranisë së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në takimin ministror të G20-s në Atlanta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, anuloi fotografinë tradicionale pasi përfaqësues evropianë refuzuan të pozonin përkrah Lavrovit.

Reklamë InterMedika

Kallas tha se përfaqësuesit evropianë nuk duan të qëndrojnë pranë një zyrtari të sanksionuar, por shtoi se prania e tij në diskutime u jep mundësinë të kundërshtojnë menjëherë pretendimet e Moskës.

Ajo përshëndeti gjithashtu vendimin amerikan për shitjen e 500 raketave interceptuese Patriot Ukrainës, duke e cilësuar një zhvillim shumë pozitiv, dhe kërkoi forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

E pyetur për raportimet se Pentagoni u ka kërkuar vendeve të NATO-s të zbusin kritikat ndaj Kremlinit, Kallas kundërshtoi idenë se shmangia e debatit e zvogëlon rrezikun.

“Nëse nuk flasim për kërcënimin, a do të zhduket ai? Unë mendoj se nuk do të zhduket”, deklaroi ajo.