Kurti: E dimë kush humbi pushtetin në Serbi, ende jo kush e fitoi

31 Oct 2026 • 18:33
Shpërndaje:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën se ndryshimet politike pas zgjedhjeve në Serbi do të sjellin një qasje më pozitive të Beogradit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti komentoi fitoren e Listës Studentore, humbjen e shumicës parlamentare nga koalicioni i Aleksandar Vuçiçit dhe mbetjen jashtë Kuvendit të listës së Ivica Daçiçit, raporton Ekonomia Online.

“Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Vlerëson bashkimin e partive shqiptare

Kurti tha se Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota dhe siguroi dy mandate, duke shënuar, sipas tij, rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.

Reklamë InterMedika

Ai theksoi se koalicioni mori 1.233 vota më shumë se në vitin 2020 dhe u rendit i dyti për numrin e votave mes nëntë listave të pakicave kombëtare.

Sipas Kurtit, rezultati dëshmon rëndësinë e bashkimit të subjekteve shqiptare dhe vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak. Ai falënderoi drejtuesit politikë, kandidatët, aktivistët dhe votuesit.

Kërkon ndryshim të qasjes ndaj Kosovës

Kurti e lidhi normalizimin e marrëdhënieve me nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën dhe të ndërmarrë ndryshime të brendshme politike e institucionale.

“Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i varrezave masive dhe sqarimi i fatit të të zhdukurve mbeten detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

“Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen”, deklaroi Kurti, duke shtuar se Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe dhe bashkëpunim mbi bazën e barazisë e respektit të ndërsjellë.

Ai shprehu shpresën që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, me njohje të ndërsjellë.