“Made in Europe” për makinat, Japonia dhe Koreja e Jugut kundërshtojnë planin

31 Oct 2026 • 19:10
Shpërndaje:

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se ishte befasuar nga kundërshtimi i fortë i vendeve të Azisë Lindore ndaj planit për kufizimin e subvencioneve të makinave te automjetet e prodhuara në BE, Zvicër dhe Britaninë e Madhe.

Propozimi, i dakordësuar mes Merzit dhe presidentit francez Emmanuel Macron, ka ngritur shqetësime për proteksionizëm në Japoni, Korenë e Jugut dhe Singapor.

Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung deklaroi se i kishte kërkuar Merzit mbështetje që Koreja të trajtohej njësoj si shtetet anëtare të BE-së. Kundërshtime të ngjashme u shprehën edhe në Japoni.

Reklamë Ola

“Intensiteti me të cilin u paraqit kjo çështje më befasoi disi”, u tha Merz gazetarëve të premten në mbrëmje, në përfundim të vizitës pesëditore në Azinë Lindore.

Ai pranoi se plani franko-gjerman kishte shkaktuar shqetësim se Evropa mund të mbyllej ndaj partnerëve të tjerë. Kancelari premtoi se do t’i merrte seriozisht kundërshtimet dhe do t’i ngrinte në takimin informal të liderëve të BE-së, më 13 nëntor në Dublin.

Reklamë InterMedika

Reagimet vijnë ndërsa Merz po promovon një aleancë ndërkombëtare për tregtinë e bazuar në rregulla. Në fjalimet në Seul dhe Tokio, ai kërkoi koordinim mes BE-së, vendeve aziatike, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe bllokut amerikanojugor Mercosur.

Sipas tij, këto ekonomi duhet të veprojnë së bashku kur rregullat ndërkombëtare sfidohen ose tregtia përdoret si mjet presioni.

Megjithatë, kundërshtimet ndaj planit për automobilat nxjerrin në pah vështirësinë për ta ndërtuar këtë aleancë, kur partnerët kanë interesa industrialë të ndryshëm.