Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA do të marrë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës, duke paralajmëruar gjithashtu vendosjen e një tarife prej 20% për çdo ngarkesë që kalon në këtë rrugë detare për të mbuluar kostot e sigurisë.
Në një intervistë për Fox & Friends, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të bëhen “kujdestarët e ngushticës” dhe do të vazhdojnë operacionet për të garantuar sigurinë e lundrimit.
“Do të bëhemi kujdestarët e ngushticës. Do ta godasim shumë fort Iranin, do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta administrojmë atë,” u shpreh ai.
Më pas, në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi se SHBA do të rivendosë bllokadën ndaj Iranit dhe se të gjitha vendet e tjera do të kenë akses të lirë në Ngushticën e Hormuzit, por do të paguajnë një tarifë për shërbimin e sigurisë.
“Si çështje drejtësie, SHBA duhet të rimbursohet me 20% të vlerës së çdo ngarkese për të mbuluar kostot e garantimit të sigurisë në këtë zonë shumë të paqëndrueshme,” deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se procesi do të nisë menjëherë.
Deklaratat e Trump vijnë pas përshkallëzimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Gjatë fundjavës, Irani dhe SHBA shkëmbyen sulme të reja ushtarake në rajonin e Gjirit Persik.
Të shtunën, mediat shtetërore iraniane njoftuan se Ngushtica e Hormuzit ishte mbyllur “deri në një njoftim të dytë”, pretendim që Trump e hodhi poshtë një ditë më vonë, duke deklaruar se rruga detare mbetet e hapur dhe se forcat amerikane kishin kryer sulme të fuqishme ndaj objektivave iraniane.
Nga ana e saj, Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) bëri të ditur se ka përfunduar valën e fundit të sulmeve kundër Iranit, me synimin për të dobësuar aftësinë e Teheranit për të sulmuar transportin ndërkombëtar që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se Irani “nuk do të lejojë në asnjë rrethanë” ndërhyrjen e SHBA-së në administrimin e Ngushticës së Hormuzit.
Përshkallëzimi i tensioneve ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës bruto amerikane u rrit me më shumë se 5%, duke arritur rreth 75 dollarë për fuçi.