Eksperti Faik Basha: Ulja e vlerësimeve të bizneseve, sulm kibernetik kriminal ndaj Shqipërisë
Eksperti i sigurisë, Faik Basha, e ka cilësuar uljen masive të vlerësimeve me yje për bizneset shqiptare si një sulm kibernetik kriminal, duke theksuar se objektivi i tij nuk janë bizneset individuale, por imazhi i Shqipërisë.
Sipas Bashës, ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vendit, që vjen katër vite pas sulmit kibernetik të atribuar Iranit.
“Ulja e numrit të yjeve, që përkthehet në vlerësimin e bizneseve, deri në një yll, është një sulm kibernetik. Kemi të bëjmë me një sulm kriminal dhe të drejtpërdrejtë ndaj vendit, jo ndaj bizneseve”, u shpreh ai.
Basha deklaroi se një pjesë e organizatorëve të protestës janë vetëidentifikuar publikisht si autorë të këtij veprimi.
“Një pjesë e mirë e organizatorëve të protestës kanë dalë dhe janë vetëprononcuar se kanë qenë autorët e sulmit”, tha eksperti.
Duke komentuar protestat, ai theksoi se ato janë një shprehje normale e demokracisë dhe se në çdo vend ka qytetarë që protestojnë për problematikat e tyre.
“Në këtë protestë kemi parë si anët pozitive, ashtu edhe ato negative. Qytetarët kanë dalë për shqetësimet e tyre dhe kjo është normale në një shoqëri demokratike. Protestat janë tregues i qytetarisë dhe zhvillimit të një vendi”, u shpreh Basha.
Megjithatë, ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, u organizua protesta, duke pretenduar se në ditët e para qytetarët kanë qenë të paqartë për situatën dhe duke ngritur akuza për përfshirjen e Iranit.
“Nuk më kanë pëlqyer faktorët që kanë ndikuar në organizimin e kësaj proteste. Deri në ditën e dhjetë njerëzit kanë qenë të dyzuar mbi realitetin ku jetojmë. Irani është investuar drejtpërdrejt që të kemi një goditje”, deklaroi ai.







