Delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë mori pjesë në punimet e Sesionit të 51-të të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), i zhvilluar nga 7 deri më 12 korrik në Yaoundé të Kamerunit.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga kryetarja Hatixhe Konomi dhe deputetët Ilirian Pendavinji dhe Luçiano Boçi.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm të diplomacisë parlamentare morën pjesë mbi 300 parlamentarë, që përfaqësonin 42 seksione nga parlamentet kombëtare, nënkombëtare dhe ndërparlamentare të hapësirës frankofone.
Gjatë sesionit, të mbajtur në Asamblenë Kombëtare dhe Senatin e Kamerunit, u diskutuan tema me rëndësi për funksionimin e parlamenteve moderne, si lufta kundër dezinformimit, përgjegjësia etike dhe deontologjike e parlamentarëve, përdorimi i inteligjencës artificiale në veprimtarinë parlamentare, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve frankofone dhe organizatave ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, kryetarja e delegacionit shqiptar, Hatixhe Konomi, prezantoi zhvillimet kryesore të veprimtarisë së Kuvendit gjatë sesionit të fundit parlamentar, duke u ndalur te puna legjislative, reformat e ndërmarra, intensifikimi i diplomacisë parlamentare dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
“Këto forume janë një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e praktikave më të mira dhe forcimin e rolit të parlamenteve në mbrojtjen e demokracisë, transparencës dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh Konomi.
Sesioni i 51-të i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë shërbeu si një platformë për forcimin e dialogut ndërparlamentar, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e vlerave demokratike mes vendeve pjesëmarrëse.