Kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, ku mori pjesë në Samitin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve”, një nismë e udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për forcimin e mbështetjes ndërkombëtare ndaj Ukrainës.
Samiti u zhvillua me ftesë të presidentit Macron, në prag të Paradës së Madhe Ushtarake të 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës.
“Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve, në mbështetje të Ukrainës dhe në vigjilje të Paradës së Madhe Ushtarake të 14 Korrikut”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
Takimi mblodhi liderë të shumtë evropianë, mes tyre presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidenten e Moldavisë Maia Sandu dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Në fokus të diskutimeve ishin përpjekjet për arritjen e një armëpushimi, rifillimi i negociatave të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe ndërtimi i garancive afatgjata të sigurisë për Kievin.
Liderët diskutuan gjithashtu forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, përfshirë iniciativa të reja për zhvillimin e sistemeve antibalistike në bashkëpunim mes Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera partnere.
Gjatë samitit, nëntë vende evropiane dhe Ukraina shpallën krijimin e një koalicioni ushtarak për zhvillimin e aftësive raketore antibalistike në Evropë.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se nisma vjen si përgjigje ndaj “kërcënimit në rritje” nga raketat balistike dhe synon ndërtimin e një arkitekture të integruar, me karakter thjesht mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane.
Dokumenti u nënshkrua nga Ukraina, Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Holanda, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia, të cilat theksuan se siguria e Evropës kërkon një sistem të përbashkët për të parandaluar dhe neutralizuar kërcënimet e ardhshme me raketa.