Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur“ u kundërshtua jo për përmbajtjen e saj, por për shkak se promovohej prej tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se ideja do të ishte vlerësuar ndryshe nëse do të ishte propozuar nga drejtues të tjerë politikë.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye: sepse unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do t’i hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, tha Rama.
Duke folur për marrëdhënien me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kreu i qeverisë shqiptare pranoi se ai ka qenë një partner i vështirë në proceset e bashkëpunimit rajonal.
“Vuçiç është gjithmonë një partner i vështirë”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu progresin e Malit të Zi, duke theksuar transformimin që ka përjetuar vendi në vitet e fundit.
“Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelen; e respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, deklaroi ai.
Në intervistë, e cila do të transmetohet e plotë gjatë ditës së nesërme, Rama theksoi se situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe se Bashkimi Evropian ka nevojë për integrimin e Ballkanit Perëndimor po aq sa rajoni ka nevojë për Evropën.
“Evropa sot ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Evropën”, përfundoi kryeministri.